Aplikacion
18 prill 2025, Tiranë – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar se gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 18 procedime penale që lidhen me krimet zgjedhore. Nga këto, 5 procedime janë regjistruar kryesisht nga organi i akuzës.
Këto të dhëna janë bërë publike në një përgjigje zyrtare që SPAK i ka dërguar Partisë Demokratike të Shqipërisë, në përgjigje të një kërkese për informacion të protokolluar më 3 prill 2025. Letra, e firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë, Altin Dumani, thekson se të gjitha procedimet penale janë të regjistruara për periudhën janar 2025 deri më tani dhe kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shkelje të kodit penal në kuadër të proceseve zgjedhore.
Partia Demokratike kishte kërkuar informacion mbi veprat penale të regjistruara nga SPAK që kanë lidhje me krimet zgjedhore, ndërkohë që vendi ndodhet në një klimë të ndezur politike për shkak të zgjedhjeve të pjesshme dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Kjo shifër prej 18 çështjesh brenda pak muajve dëshmon shqetësimin në rritje mbi integritetin e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe rikonfirmon rolin kyç të SPAK në ndjekjen e shkeljeve penale që cenojnë demokracinë.
Fakti që një pjesë e konsiderueshme e procedimeve janë regjistruar kryesisht nga vetë SPAK tregon një proaktivitet të ri të institucioneve të drejtësisë në hetimin e manipulimeve zgjedhore, pavarësisht mungesës së kallëzimeve të drejtpërdrejta. Kjo mund të sinjalizojë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen institucionale ndaj krimeve elektorale, por njëkohësisht ngre pikëpyetje për klimën e frikës apo mosbesimit që mund të pengojë denoncimin e hapur nga qytetarët apo partitë politike.
Nisja e hetimeve nga SPAK shqetësoi kryeministrin Rama, i cili e quajti të papranueshëm dhe presion ndaj administratës. /Zoom.al