Aplikacion
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet këtë të enjte, 19 dhjetor, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Kërkesa e SPAK i hap rrugë vendosjes së masave të sigurisë, përfshirë “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”, si dhe masa të tjera si kontrolli personal apo i banesës.
Sipas procedurës së parashikuar në nenet 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, kërkesa i është paraqitur Kryetares së Kuvendit nga Prokuroria e Posaçme dhe më pas është përcjellë për shqyrtim në Këshillin e Mandateve. Deputetja për të cilën është bërë kërkesa është vënë në dijeni dhe ka të drejtë të paraqesë shpjegimet e saj, si me shkrim ashtu edhe verbalisht, si dhe të përfaqësohet nga mbrojtës ligjor.
Brenda dy javëve, Këshilli duhet të hartojë një raport, i cili do t’i paraqitet seancës plenare, ku rekomandohet miratimi ose rrëzimi i kërkesës së SPAK. Vendimi përfundimtar merret nga Kuvendi me votim të hapur. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, ajo konsiderohet e rrëzuar.
SPAK njofton se Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Gjithashtu, ajo është nën hetim për të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik, që lidhen me projekte infrastrukturore në Tiranë, përfshirë segmentet rrugore të Sheshit Shqiponja, Bulevardit të Ri dhe Unazës së Jashtme të kryeqytetit.
Sipas SPAK, kërkesa drejtuar Kuvendit synon marrjen e autorizimit kushtetues për procedimin e mëtejshëm ligjor ndaj deputetes, ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 136 të vitit 2025./Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit