Aplikacion
Partia Mundësia po proteston sot para Kryesisë së Kuvendit, ndërkohë që Këshilli i Imunetit dhe Mandateve po shqyrton kërkesën e SPAK për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut.
“Burg, burg. Duam drejtësi”, dëgjohet teksa brohoret turma e protestuesve, ndërsa policia ka rrethuar godinën.

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar për mediat se i është mohuar pjesëmarrja në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohet çështja e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Ai akuzoi mazhorancën se po vepron për të mbajtur larg vëmendjes publike kërkesën e SPAK-ut.
Sipas Shehajt, vendimi për të zhvilluar mbledhjen me dyer të mbyllura është marrë me qëllim që të mos bëhen publike argumentet e prokurorisë. Ai theksoi se, si përfaqësues i një partie politike, ka të drejtë të jetë i pranishëm në këtë proces, por kërkesa e tij është refuzuar.

“Gjithçka është vendosur paraprakisht dhe po bëjnë çmos për të fshehur atë që po ndodh. Po mbajnë të fshehtë kërkesën e SPAK-ut. Unë kam të drejtë ligjore të jem pjesë e Këshillit të Mandateve, por Taulant Balla ka urdhëruar që në sallë të jenë vetëm anëtarët. Kjo është hera e parë që një mbledhje e tillë zhvillohet pa transparencë, me dyer të mbyllura,” u shpreh Shehaj.
Ai shtoi se refuzimi për ta lejuar të marrë pjesë në mbledhje tregon qartë, sipas tij, përpjekjen për të mbyllur çështjen pa transparencë. “Nuk dihet se cilat janë provat dhe argumentet e SPAK-ut, ndërkohë që po kërkohet arrestimi i Ballukut. Ajo duhet të përballet me drejtësinë,” deklaroi Shehaj.
Shehaj ngriti gjithashtu akuza të forta për përzierje të pushtetit politik me krimin, duke theksuar se qytetarët po humbasin besimin se ku duhet të drejtohen për mbrojtje dhe drejtësi./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit