zoom

Aktualitet

Detaje nga mbledhja e Këshillit të Imunitetit për Ballukun, debate mes deputetëve të PS dhe PD

Detaje nga mbledhja e Këshillit të Imunitetit për Ballukun, debate mes deputetëve të PS dhe PD

Zbardhen detaje nga mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Takimi është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe opozitës.

Partia Demokratike ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, duke lejuar praninë e mediave, pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve dhe akses të plotë në provat e administruara nga SPAK, përfshirë edhe materialet digjitale. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka theksuar se transparenca është e domosdoshme në një çështje kaq të rëndësishme.

Në krahun tjetër, mazhoranca ka mbajtur qëndrimin se mbledhja duhet të jetë e mbyllur, me argumentin e ruajtjes së sekretit hetimor dhe kufizimit të pjesëmarrjes vetëm tek anëtarët e Këshillit të Mandateve. Taulant Balla ka deklaruar se kjo procedurë është e nevojshme për të mos cënuar procesin hetimor.

Në mbledhje kanë marrë pjesë prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, si edhe drejtuesi i ri i institucionit, Klodian Braho. Ndërkohë, Belinda Balluku nuk ka qenë e pranishme personalisht, por është përfaqësuar nga avokati i saj, Ardian Kalia.

Sipas burimeve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka propozuar që edhe seanca plenare ku do të votohet raporti i Këshillit të Mandateve të zhvillohet po ashtu me dyer të mbyllura. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet vendimi për hapat e mëtejshëm proceduralë./ Zoom.al

Postime të lidhura