Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kërkesave për dorëheqje që po artikulohen nga protestuesit prej javësh në Tiranë, duke i ironizuar përmes një postimi në rrjetet sociale.
Rama publikoi një foto të një ngjitëseje ku shkruhet “Rama jep dorëheqjen”, ndërsa sipër saj është vendosur mbishkrimi: “Në 2030”, duke e shoqëruar postimin me mesazhin: “Mirëmëngjes dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë.”
Më pas, kreu i qeverisë publikoi edhe atë që e quajti “Manifesti i (s)dorëheqjes”, ku, me tone ironike, rendit një sërë arritjesh të qeverisë së tij, duke argumentuar se pikërisht për këto arsye nuk ka pse të largohet nga detyra.
“Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale. Dorëhiqu për aeroportet! Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord! Dorëhiqu për negociatat që u hapën! Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë! Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë”, shkruan Rama.
Ai shton se sot në Shqipëri protestohet paqësisht, ndërsa vendi, sipas tij, gëzon respekt në arenën ndërkombëtare.
“Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper! Dorëhiqu për transformimet në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm. Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht”, vijon kryeministri.
Në fund të reagimit, Rama mbyll postimin me një tjetër dozë ironie ndaj kërkesave për dorëheqje, duke shkruar: “Ose mendoje kështu: Dorëhiqu… në 2030! Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.”
Postimi vjen në një kohë kur protestat qytetare para Kryeministrisë kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Ramës nga detyra.
Postimi i plotë:
MIRËMËNGJES 😊
dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë🙏
🦩❤️
𝗠𝗮𝗻𝗶𝗳𝗲𝘀𝘁𝗶 𝗶 (𝘀)𝗱𝗼𝗿ë𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝘀!
Është ndoshta fjala më e konsumuar në lëmin virtual, ndaj po ta risjell edhe unë si ‘Millennials’ me shpresën që “Gen Z” nuk do më denigrojë me komente.
Para se të vijoj po ju them, (me lehtësinë e një barre që nuk e kam mbi supe, bashkë me +800K vota) se qeverisjen e mundon më së shumti fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë, por kjo meriton një hapësirë më të zgjeruar filozofike për diskutim.
Tani lexomë (nëse mundeni dhe natyrisht nëse doni).
Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale.
Dorëhiqu për aeroportet!
Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord!
Dorëhiqu për negociatat që u hapen!
Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare.
Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë!
Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper!
Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm.
Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme.
Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht.
Ose mendoje kështu: Dorëhiqu…në 2030! 🇪🇺🇦🇱
Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.
/Zoom.al