Aplikacion
“Për “Gen Z” të Shqipërisë, resorti i Jared Kushner-it ishte vetëm pika që mbushi gotën… Shqipëria është ende një vend i varfër, dhe një model zhvillimi i bazuar rëndë te ndërtimi dhe turizmi ka pasuruar vetëm njerëzit me lidhje të forta, ndërkohë që ka përjashtuar votuesit e thjeshtë nga kënaqësitë e thjeshta të një arratisjeje verore në bregdet. Për më tepër, sektori i turizmit po përdor punëtorë migrantë me paga të ulëta për të mbajtur kostot e ulëta, madje edhe teksa vetë shqiptarët emigrojnë drejt perëndimit duke kërkuar punë... Një brez në rritje po kupton se si të mobilizojë pakënaqësinë publike në politikën elektorale. Dhe për herë të parë në karrierën e tij të gjatë, Rama duket i paaftë për të pasur fjalën e fundit. Kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë ende.
”
Washington Post – Përgatiti në shqip Zoom.al
Washington – Kryeministri socialist në vështirësi i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po përballet me një lëvizje kundër qeverisjes së tij, që mori vëmendje globale kryesisht sepse përfshin marrëveshje biznesi të familjes Trump, është ndoshta lideri më i orientuar nga estetika dhe më i vetëdijshëm për imazhin në botë.
Qoftë duke veshur atlete komode në samitet e NATO-s apo duke i kthyer panelet e konferencave në skena për numra viralë të komedisë stand-up, 61-vjeçari Rama dinte si të tërhiqte vëmendjen e medias përpara se të ekzistonin influencuesit dhe të merrte pushtet duke qenë një komunikues efektiv, ndonëse bullizues.
Prandaj, duket plotësisht e përshtatshme që sfida më e madhe ndaj qeverisjes së tij 13-vjeçare ka ardhur nga protestuesit e zgjuar dhe me vetëbesim të “Gen Z”, të cilët, duke përdorur meme të hiper-prodhuara nga inteligjenca artificiale si armët e tyre estetike, kanë përmbysur në mënyrë efektive talentet e mëdha të kryeministrit, duke e kaluar atë në territorin e “OK boomer”.
Një artist dhe piktor me formim, Rama erdhi në pushtet në fillim të viteve 2000 si kryebashkiak i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, duke ushqyer imazhin e një “anti-politikani” ekscentrik, duke bërtitur ndaj burokratëve përtacë para kamerave të medias dhe duke rehabilituar fasadat e rrënuara komuniste të qytetit me vizatime shumëngjyrëshe. Ai promovoi një filozofi se arti në hapësirat publike mund të nxisë transformimin e komunitetit.
Si kryeministër, Rama i ka kushtuar pjesën më të madhe të vëmendjes së tij një transformimi jo vetëm të Tiranës dikur gri, por edhe të vijës bregdetare mesdhetare të Shqipërisë. Grataçelat shkëlqyese, resortet luksoze dhe hapësirat publike të modernizuara dhe të rivitalizuara e kanë kthyer një nga vendet më të varfra të Evropës në një pikë të nxehtë turistike, duke tërhequr gjithashtu vëmendjen e arkitektëve dhe artistëve më të shquar në botë.
Të rinjtë e Shqipërisë kanë qenë më pak të mbresëlenëshëm nga piktori i kthyer në politikan. Por përbuzja e tyre ishte më e dukshme në statistikat e emigracionit sesa në protestat e rrugës. Deri më tani. Ngjashëm me mënyrën se si Pranvera Arabe u shkaktua nga një video virale e një shitësi rruge tunizian që i vuri flakën vetes, një incident i vetëm solli në pikën e vlimit frustrimet e akumuluara prej kohësh të të rinjve shqiptarë.
Kur banorët lokalë dhe ambientalistët në fshatin bregdetar të Zvërnecit — vendi i një resorti të ri turistik të planifikuar i lidhur me Jared Kushner-in, një fond me bazë në Katar dhe oligarkë vendas — protestuan kundër rrethimit të një plazhi publik rreth një zone natyrore të mbrojtur, dy roje private të sigurisë tërhoqën zvarrë nëpër plazh një nga banorët vendas, teksa policia lokale bënte sehir. Reagimi publik ishte i menjëhershëm.
Ajo që filloi si një protestë e izoluar në një fshat të largët u zhvendos shpejt në kryeqytet, duke u rritur aq shpejt sa që mediat kryesore, kryesisht të vetë-censuruara, nuk mund ta mbanin më pa mbuluar. Kanë kaluar pothuajse katër javë dhe demonstratat tani ndodhin çdo ditë, me flamingon — indigjene në Shqipëri dhe e rrezikuar nga ndërtimi i resortit — si simbolin e saj bashkues. Protestat janë sa të zemëruara — duke bërë thirrje për përmbysjen e të gjithë establishmentit politik dhe mediatik — aq edhe festive. Ashtu si me shumë kryengritje të tjera të “Gen Z”, solidariteti politik është përhapur përmes humorit dhe memeve. Një brez shqiptarësh, më parë pasiv, po ndjen një ndjenjë të re dinjiteti dhe veprimi politik.
Mbulimi i mediave perëndimore i ka kornizuar ngushtë demonstratat si të drejtuara ndaj projektit të Kushner-it — një karrem më i lehtë për lexuesit e tyre në shtëpi. Fermat e botës autoritariste të mediave sociale janë vendosur gjithashtu në lëvizje, duke e paraqitur rebelimin si një lloj qëndrimi kundër kolonializmit amerikan dhe izraelit.
Por ankesat e vërteta lidhen tërësisht me qeverisjen e brendshme. Dhjetëra mijëra shqiptarë të të gjitha rrymave ideologjike — liberalë, nacionalistë, ambientalistë, marksistë, influencues mode dhe madje edhe teoriciendë konspiracioni të skajshëm — po mblidhen çdo mbrëmje sepse ndihen të privuar nga e drejta e votës dhe të braktisur nga një elitë vetëshërbyese, përfshirë opozitën formale në parlament, Partinë Demokratike, e cila ka vite që po zhvesh pasuritë publike përmes marrëveshjeve të fshehta dhe të paqarta me interesa të veçanta. Dhënia e dritës jeshile për resortin e Kushner-it ishte thjesht shembulli më i fundit dhe më i spikatur.
Rama është përpjekur të argumentojë se projektet e turizmit luksoz si ai i Kushner-it janë e ardhmja e ekonomisë. Demonstruesit nuk pranojnë asgjë nga këto. Shqipëria është ende një vend i varfër, dhe një model zhvillimi i bazuar rëndë te ndërtimi dhe turizmi ka pasuruar vetëm njerëzit me lidhje të forta, ndërkohë që ka përjashtuar votuesit e thjeshtë nga kënaqësitë e thjeshta të një arratisjeje verore në bregdet. Për më tepër, sektori i turizmit po përdor punëtorë migrantë me paga të ulëta për të mbajtur kostot e ulëta, madje edhe teksa vetë shqiptarët emigrojnë drejt perëndimit duke kërkuar punë.
Korrupsioni i përhapur në qeverinë e Ramës është bërë gjithashtu i papërballueshëm për qytetarët. Refuzimi i fundit i Ramës për të hequr imunitetin parlamentar për ish-zëvendëskryeministren e tij, e cilapo përballet me një aktakuzë, po krijon një bllokadë të madhe në përparimin e Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në BE. Kjo shihet gjithashtu si një kërcënim më i gjerë ndaj reformave popullore të shtetit të së drejtës, të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat Rama deri vonë i kishte përqafuar si të tijat.
Historiku i protestave të “Gen Z” në mbarë botën ka qenë i përzier, dhe Shqipëria nuk ka zgjedhje deri në vitin 2029. Por këto demonstrata specifike kanë bërë një gjë të rëndësishme: Ata kanë dëmtuar reputacionin e kryeministrit karizmatik si dikush që është gjithmonë në gjendje të dalë nga një situatë përmes fjalëve. Përpjekjet e tij për të tallur pjesëmarrësit në protestë si influencues të shkëputur nga realiteti dhe për të përvetësuar simbolin e tyre duke veshur me ironi një bluzë me flamingo kanë dështuar, në rastin më të mirë.
Një brez në rritje po kupton se si të mobilizojë pakënaqësinë publike në politikën elektorale. Dhe për herë të parë në karrierën e tij të gjatë, Rama duket i paaftë për të pasur fjalën e fundit. Kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë ende.