Aplikacion
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri ka prezantuar sot raportin paraprak për procesin zgjedhor, ku evidenton disa shqetësime serioze për barazinë e garës dhe integritetin e procesit.
Sipas raportit, ndonëse zgjedhjet ishin në përgjithësi konkurruese dhe u administruan në mënyrë profesionale, klima ishte shumë e polarizuar dhe kandidatët nuk kishin kushte të barabarta.
Një nga problemet kryesore të evidentuara është përdorimi i burimeve shtetërore nga partia në pushtet, çka sipas OSBE/ODIHR ndikoi në krijimin e një terreni të pabarabartë për garuesit.
Vëzhguesit raportuan gjithashtu për shkelje të procedurave zgjedhore, përfshirë raste të intimidimit ndaj votuesve, sidomos në radhët e administratës publike. Edhe pse votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe organizimi ishte gjithëpërfshirës, janë regjistruar incidente të izoluara dhe ndikim ndaj zgjedhësve.
Një tjetër mangësi e evidentuar ishte mungesa e kontrollit të duhur mbi fushatat në rrjetet sociale, si dhe mbulimi mediatik i dominuar nga dy partitë kryesore, duke kufizuar hapësirat për subjektet e tjera politike.
Pavarësisht problemeve të evidentuara, OSBE/ODIHR vlerëson se votimi nga jashtë u menaxhua mirë, megjithë vështirësitë e shkaktuara nga vonesa në arritjen e marrëveshjes politike.
“Zgjedhjet e 2025, ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, ndodhën në një klimë tejet të polarizuar dhe kandidatët nuk patën mundësi të barabarta. Patën mundësi të bënin fushatë në mënyrë të lirshme edhe pse disa raportuan se kishin pasur intimidim. Administrimi zgjedhor e administroi procesin në mënyrë gjithpërfshirëse. Votimi nga jashtë vendit u menaxhua mirë pavarësisht marrëveshjes politike të arritur me vonesë dhe disa problemeve organizatave
Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës, duke shkaktuar kushte të pabarabarta. Gjithashtu pati edhe një mungesë të autoritetetit për të monitoruar fushatat zgjedhore online.
Ishte ditë e qetë, por pati mosrespektim të procedurave e ajo u shoqërua nga incidente intimidimi e ndikim tek disa zgjedhës. Ka pasur raportime për presione ndaj zgjedhësve, sidomos në administratë. Dy partitë kryesore ishin ato që kishin mbulim më të madh mediatik. Procesi ishte i qetë në tërësi, por kishte disa incidente të izoluara. Kishte sulme mes liderëve të dy partive të mëdha”, u raportua nga misioni vëzhgues./ Zoom.al