zoom

Lajme

PD siguron 14 mandate në Tiranë, Ilir Meta del jashtë loje?

PD siguron 14 mandate në Tiranë, Ilir Meta del jashtë loje?

Partia Demokratike ka arritur të sigurojë 14 mandate në qarkun e Tiranës, sipas rezultateve paraprake nga rreth 30% e kutive të votimit të numëruara. Kjo do të thotë se, përveç 12 emrave të listës së mbyllur, dy deputetë të tjerë do të përzgjidhen nga lista e hapur, bazuar në votën preferenciale të qytetarëve.

Ndërkohë, në qendër të vëmendjes është edhe pozicioni i Ilir Metës, kreut të Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas të dhënave të deritanishme, Meta përballet me një rrezik real për të mos arritur një mandat deputeti, për shkak të rezultateve të dobëta të koalicionit të tij në Tiranë dhe mungesës së mbështetjes personale me vota.

Në zonat ku është numëruar tashmë, Meta rezulton shumë pas në renditje. Në Vorë ka marrë vetëm 94 vota, duke u pozicionuar i 11-ti, ndërsa në Njësinë nr. 10 është i treti me 246 vota.

Situata vështirësohet edhe më shumë duke parë që Partia Mundësia, pjesë e koalicionit, ka siguruar vetëm 7.523 vota në Tiranë, ose 4.93% të totalit, çka i sjell një mandat të vetëm, të cilin e ka marrë nga Partia Demokratike.

Sipas ndarjes paraprake të mandateve në këtë qark, me kaq kuti të numëruara: PS ka 19 mandate, PD 13, Partia Mundësia 2, Shqipëria Bëhet 1, Lëvizja Bashkë 1 dhe PSD 1 mandat. Nëse trendi i numërimit mbetet i pandryshuar edhe në zonat e tjera, Ilir Meta rrezikon seriozisht të mos jetë pjesë e Parlamentit të ri./ Zoom.al


Postime të lidhura