zoom

Lajme

Një kryeministër pa “Gjeneralë”, a shënon rënia e Gardës së Vjetër fundin e epokës së Edi Ramës? 

Një kryeministër pa “Gjeneralë”, a shënon rënia e Gardës së Vjetër fundin e epokës së Edi Ramës? 

TIRANË – Pakkush e parashikonte në fillimet e mandatit të katër të Edi Ramës, se rrethi i tij i ngushtë i bashkëpunëtorëve do të shpërbëhej me një shpejtësi të tillë. 

Një pjesë e tyre që për më shumë se 13 vjet treguan se ishin truri dhe mburoja e kryemkinistrit  zgjodhën një largim të butë, ndërsa  një pjesë po ia largon me dhunë SPAK në hetimet për korrupsion galopant. 

Triada teknokrate Fuga – Agaçi – Bizhga

Për më shumë se një dekadë, pushteti i Edi Ramës është mbështetur sa te ministrat besnikë, aq te një parlament e një parti që e ka tërërisht nën kontoll. Por një triadë teknokrate që rrallëherë shfaqej në ekran, por që kontrollonte çdo qelizë të shtetit, ishte kupola që dirigjonte gjithçka

Endri Fuga ishte njeriu të cilit i ishte besuar Strategjia. Ai krijoi imazhin e Ramës dhe kontrolloi narrativën publike me dorë të hekurt, me ndërhyrje të drejpërdrejta tek mediat kreysore në vend. Por prej afro 1 viti ai është tërhequr nga linja e parë. Largimi i tij ka lënë një vakum në makinerinë e propagandës që dikur dukej e pamposhtur. Rama po përpiqet ta meremetojë me figura publike, por duket shumë larg. 

Engjëll Agaçi ishte Shtylla Ligjore. Si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ai kishte vulën për pothuajse çdo vendim. Ai dha dorëheqjen një ditë më parë, pas shumë muajsh marrje në pyetje dhe hetimesh për dosje sensitive nga SPAK. Largimi i tij pas 13 vitesh sinjalizon se mburoja ligjore e qeverisë mund të jetë çarë.

Vali Bizhga kontrolloi për 13 vjet me radhë Kabinetin. Operatorja e heshtur dhe besnikja absolute e zyrës përfaqësonte stabilitetin e brendshëm. Dorëheqja e saj në fund të vitit 2025 mbylli kapitullin e njerëzve që njihnin “arkivat” e çdo lëvizjeje politike. Për Ramën, boshllëku duket si një hon që s’e mbush dot më asgjë. 

Garda e gjeneralëve pragmatistë

Por nëse triadën e mësipërme e bashkonte teknokracia, Rama kishte krijuar rreth vetes edhe një gardë pragmatistësh. 

Largimi i këshilltarëve si Fuga apo Bizhga mund të interpretohet edhe siqarkullim elitash, por në anën tjetër, rënia e ministrave më të fuqishëm të Edi Ramës tregon se muret e kështjellësë së Edi Ramës nuk po i mbajnë dot më goditjet e SPAK. 

Belinda Balluku ngjan si kulla e fundit e këtyre mureve. E konsideruar si “Super-ministrja” e Infrastrukturës dhe Energjisë, zëvendëskryeministrja po përballet me një presion të jashtëzakonshëm. Ndonëse mbetet në detyrë, hetimet e SPAK për skandalet në tenderat e disa rrugëve dhe përfshirja e vartësve të saj në akuza për korrupsion e kanë vendosur atë në një pozicion mjaft delikat, duke e bërë objektiv të vazhdueshëm të sulmeve politike dhe hetimeve të mundshme.

SPAK ka dërguar prej dhjetorit kërkesën në parlament për të lejuar arrestimin e saj. Rama po reziston me gjithë presionin e madh ndërkombëtar. Por burime pranë mazhorancës qeverisëse thonë se ai do ta lëshojë në një kohë të shkurtër. Një prej gazetarëve pranë qeverisë raportoi pak ditë më parë në një portal të drejtuar prej tij se Balluku e kishte dhënë dy herë dorëheqjen, por ishte refuzuar nga Rama. Megjithatë, fundi i saj duket thuajse i njëjtë me ministrat e tjerë dhe Rama do ta shohë veten së shpejti pa një prej njerëzve më të besuar të tij. 

Erion Veliaj është një tjetër humbje e madhe për Ramën. Ai konsiderohej si pinjolli i tij, pasardhës në PS dhe qeveri. Por synimet e Ramës për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë duket se e lodhën Veliajn dhe nisën të krijonin çarje në marëdhëniet mes tyre. Ndryshe nga Balluku, Rama e lëshoi Veliajn dhe tentoi ta zëvendësonte në Bashkinë e Tiranës, ndonëse pa sukses. Gjykata Kushtetuese, për të cilën thuhet se Veliaj ka ndikim, i dha një goditje fatale skemës së Ramës.

Rrjedhjet kishin nisur më parë, por Rama dukej i qetë nën idenë se dispononte një arsenal burimesh njerëzore për të zëvendësuar këdo që “e tradhëtonte” apo që po i godiste SPAK. 

Ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ishte një tjetër i besuar që mbante çelësat e arkës së shtetit dhe që konsiderohej si truri i Financave të Rilidnjes. Por Rama u distancua prej tij sapo SPAK nisi hetimet për korrupsion. Ia hoqi imunitetin dhe e zëvendësoi.

Ilir Beqja, Saimir Tahiri dhe Lefter Koka, një radhë “kampionësh” të Edi Ramës në menaxhimin e dikastereve të rëndësishme ministrore u shkëputën nga trupi i pushtetit të Ramës pas arrestimeve nga SPAK. 

Në 13 vjet pushtet shqiptarët panë t’i bien edhe gjeneralë të tjerë, deputetë e kryetarë bashkish, të futur plot zhurmë në politikë e të larguar pas ligjit të dekriminalizimit apo nga përfshirja e tyre direkte në afera korruptive. 

Të gjithë së bashku përbëjnë gardën me të cilët Rama fitoi betejat e tij që në ditët e para. Deri më sot Rama ka mundur të mbijetojë herë duke përdorur strategjinë e distancimit, herë duke heshtur për të dhënë mesazhin se ai s’ka ç’bën kur drejtësia vepron, pasi përgjegjësia ligjore është personale. Por teksa rrethi i tij po shkrihet dhe Rama po përpiqet të shpetojë veten, mbijetesa i është bërë pothuajse e pamundur. Më shumë se arrestimet e SPAK, mbijetesën e tij e vë në pikëpyetje boshllëku që ai sot sheh se i kanë lënë largimet në heshtje të të besuarve të tij, njëri pas tjetrit. /Zoom.al 

Postime të lidhura