zoom

Aktualitet

Lëvizje në Kryeministri, Engjëll Agaçi largohet nga detyra

Lëvizje në Kryeministri, Engjëll Agaçi largohet nga detyra

Engjëll Agaçi nuk do të vijojë më detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.

Ne mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, është komunikuar që për arsye shëndetësore Engjëëll Agaçi do të tërhiqet nga posti.

Në krye të Sekretarisë së Përgjithshme pritet të emërohet Elsonida Rama. Ajo ka mbajtur më parë funksione në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, duke pasur eksperiencë në administratën shtetërore.

Agaçi është thirrur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorëve.

Vetë ai ka deklaruar se është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.

Në komisionin hetimor për inceneratorët ai ka deklaruar se nuk i njeh bosët e inceneratorëve, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.

Ai ka thënë se Këshilli i Ministrave ka zbatuar vetëm ligjin që cuan në miratimin e kontratave për inceneratorët, por sipas tij nuk ka një vendim që përcakton fituesin e kontratës së inceneratorëve.  Sipas tij, kanë qenë institucione të tjera që kanë përzgjedhur fituesin dhe qeveria më pas ka miratuar një vendim, ku miratohet mbështetja për vijimin e një kontrate të tillë nga Ministria e Mjedisit.

Deri tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga Kryeministria lidhur me arsyet e largimit dhe procedurën e zëvendësimit.

Më herët, për Engjëll Agaçin, Sali Berisha ka denoncuar se është arratisur nga vendi, por më pas kryeministri Rama i ka hedhur poshtë akuzat dhe Agaçi e ka vijuar detyrën e tij./ Zoom.al

Postime të lidhura