zoom

Aktualitet

Nis protesta e tretë në Tiranë kundër projektit në Zvërnec

Nis protesta e tretë në Tiranë kundër projektit në Zvërnec

Prej disa minutash, në Tiranë ka nisur protesta e tretë radhazi kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, një nismë që ka mbledhur sërish qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që kundërshtojnë ndërhyrjen në këtë zonë të mbrojtur.

Tubimi ka nisur në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit janë grumbulluar me pankarta dhe thirrje kundër projektit, përpara se të nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.

Protesta vjen si vazhdim i dy tubimeve të mëparshme të mbajtura në kryeqytet gjatë ditëve të fundit, të cilat kanë pasur një pjesëmarrje në rritje.

Slogani kryesor i protestuesve vijon të mbetet “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa ata kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas pjesëmarrësve, projekti rrezikon të dëmtojë një hapësirë të mbrojtur dhe të cenojë ekuilibrin mjedisor.

Një ditë më parë, mijëra qytetarë ishin mbledhur fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas kishin marshuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke paralajmëruar vijimin e mobilizimit me sloganin “Nesër më shumë”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka pasur disa reagime pas protestave, fillimisht duke deklaruar se nuk ka projekt për të anuluar sepse ai është ende duke u përgatitur nga studiot ndërkombëtare. Më pas, Rama tha se nuk tërhiqet nga projekti në Zvërnec, ndërsa më tej, ftoi një grup protestuesish të bëhen bashkë dhe të dialogojnë me qeverinë, për të gjitha pikëpyetjet që kanë./ Zoom.al

Postime të lidhura