zoom

Aktualitet

“Zvërneci”, Rama sulmon protestuesit: E kanë atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie

“Zvërneci”, Rama sulmon protestuesit: E kanë atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë mëngjes lidhur me protestat qytetare kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, por edhe ndaj thirrjeve që kërkojnë largimin e tij nga qeveria.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë publikoi një pjesë nga intervista e një protestuesi për News24, ndërsa theksoi se qeveria do të vijojë zbatimin e programit të saj, bazuar në mandatin e marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit.

Rama u shpreh se “Shqipëria do të bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota”, duke nënvizuar vendosmërinë e mazhorancës për të çuar përpara projektet e saj.

Në mesazhin e tij, kryeministri iu drejtua edhe mbështetësve të Partisë Socialiste që janë bashkuar me protestat, duke i cilësuar ata si “peng të një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”.

“Mirëmëngjesi dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, shkruan Rama.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec vijojnë të prodhojnë debate dhe tensione politike e qytetare.

Postime të lidhura