Aplikacion
Adnan Xholi është një nga katër kandidatët për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe para Këshillit të Lartë të Prokurorisë ai ka shpalosur programin e tij për drejtimin e këtij institucioni, duke u përqendruar te eksperienca e tij e gjatë dhe çështjet konkrete që ka hetuar në karrierë.
Ai ka qenë prokuror që nga viti 2004 dhe aktualisht shërben në SPAK, ku udhëheq Seksionin e Krimit të Organizuar, një rol kyç që lidhet me hetimin e grupimeve kriminale të strukturuara.
Përpara anëtarëve të Këshillit, Xholi ka përmendur raste të përfshirjes së tij personale në hetime shumë serioze, duke filluar që nga vitet ’90 e deri më sot, që sipas tij tregojnë përvojën dhe angazhimin e tij në detyra komplekse drejtësie.
Ai ka folur për rastet e rrëmbimit të dy biznesmenëve nga grupe kriminale, ku viktimat u mbajtën peng për ditë të tëra dhe u ushtrua dhunë ndaj tyre, madje iu kërkuan shuma të mëdha parash.
“Dy çështjet e tjera kanë të bëjnë me rrëmbimet e biznesmenëve në Gjirokastër. Grupet rrëmbyen dy biznesmenë, i rrëmbyen dhe iu mbajtën peng për 18 ditë, ushtruan dhunë fizike dhe psikologjike, madje i detyruan të hapnin edhe varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuar, shuma të kërkuara ishin 100 milion dhrami dhe arritën të merrnin nga 20-25 mln dhrami, që me vlerën e sotme shkon 80-100 mijë euro”, tha ai.
Xholi ka përmendur edhe hetimet kundër zyrtarëve të lartë, duke thënë se ka kërkuar heqjen e mandatit për dy deputetë dhe se ka ndjekur penalisht edhe një kryetar bashkie, duke i çuar këto çështje deri në gjykatë.
Në fjalimin e tij ai është ndalur edhe te çështje të tjera që ka hetuar gjatë karrierës, përfshirë grupe kriminale që funksiononin në zona të ndryshme të vendit, ku ka identifikuar dhjetëra anëtarë dhe ka arritur ndalime e dënime sipas formës së prerë.
Përvoja e tij përfshin edhe çështje të rënda të viteve 1997, si masakrat e Cërrikut dhe Qafë Gjashtës, të cilat ai i ringjalli procedurë pas disa vitesh dhe kërkoi dënime të mëdha për të përfshirët.
E gjithë kjo prezantim shërben si baza e programit të tij profesional për drejtimin e SPAK, ku ai pretendon se eksperienca e tij në hetime të krimit të organizuar, korrupsionit dhe rasteve me ndikim të lartë publik e bën atë të aftë për të përmirësuar punën e strukturës antikorrupsion në vend.
Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK vazhdon me votimin nga anëtarët e Këshillit, ndërsa emri i fituesit pritet të shpallet pas prezantimeve dhe votimit të 11 dhjetorit 2025