Aplikacion
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të marrë nesër në pyetje 4 kandidatët në garë për të marrë drejtimin e SPAK: Klodian Braho, Adnan Xholi, Doloreza Musabelli dhe Elvin Gokaj.
Njëri prej tyre do të zgjidhet për të zëvendësuar Altin Dumanin, të cilit i mbaron mandati më 18 dhjetor.
Në kuadër të këtij procesi, ambasadori i delegacionit të BE, Silvio Gonzato, reagoi duke vënë në dukje rëndësinë e rritjes së efikasitetit dhe cilësisë së gjyqësorit.
Ai nënvizoi nevojën për standarde të qarta dhe përgjegjësi të plotë në funksionimin e gjykatave.
Gonzato theksoi se procesi i zgjedhjes së kreut të SPAK-ut duhet të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente, duke garantuar që udhëheqja e Prokurorisë Speciale të jetë në duar të një personi me integritet, pavarësi dhe kompetencë.
“Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, thuhet në reagimin e shpërndarë nga ambasada.
Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj.
Pasi bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.
Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.
Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash./ Zoom.al