Aplikacion
Një ditë përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjedhë drejtuesin e ri të SPAK-ut, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi një reagim ku vlerëson punën e kryeprokurorit në largim, Altin Dumani, dhe nënvizon rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me SHBA-në në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Zëvendësdrejtoresha për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise, zhvilloi sot një vizitë pranë Prokurorisë së Posaçme, ku shprehu vlerësimin e Uashingtonit për kontributin e Dumanit në forcimin e bashkëpunimit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Sipas deklaratës së Ambasadës, përballja me krimin ndërkombëtar kërkon angazhim të përbashkët, ndërsa puna e Dumanit me partnerët amerikanë ka ndihmuar në goditjen e rrjeteve të paligjshme që kërcënojnë sigurinë e SHBA-ve, si dhe në luftën kundër korrupsionit që dëmton kompanitë dhe investitorët amerikanë.
Vizita dhe deklarata e sotme vjen në një moment vendimtar për institucionin e SPAK-ut, i cili pritet të marrë drejtim të ri në ditët në vijim, ndërsa partnerët ndërkombëtarë përsërisin thirrjen për vazhdimësi dhe integritet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në postimin e Ambasadës Amerikane shfaqet në foto edhe pasardhësi i mundshëm i Dumanit, Klodian Braho.

Nuk është e qartë nëse kjo është një formë mbështetje e Uashingtonit për kandidaturën e Brahos apo një foto e rastësishme. Zoom.al/
Dhunohet Polici i Rrugores në Shkodër, goditet me sende të forta jashtë orarit të punës