Aplikacion
Prokuroria e Posaçme ka publikuar informacionin zyrtar për operacionin “Rikthimi”, gjatë të cilit janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest në burg” për dhjetë persona, mes tyre edhe Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja dhe disa të dyshuar të tjerë që përdornin identitete të ndryshme.
Tre të hetuar, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, janë shpallur në kërkim dhe po bashkëpunohet me policinë dhe partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin e tyre. Ndërkohë, një prej të dyshuarve, Ervis Shuli, ndodhet jashtë vendit.
Sipas SPAK, hetimet kanë treguar se grupi dyshohet se ishte përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi e më tej në Gjermani, nga Shqipëria drejt Turqisë, si edhe nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian. Komunikimet mes anëtarëve të grupit dyshohet se janë kryer përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”, të cilat janë siguruar nga autoritetet franceze.
Falë bashkëpunimit me autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë dokumentuar tre episode të trafikut:
-Në nëntor 2020, në Mal të Zi u sekuestruan 1.7 ton marijuanë me origjinë nga Shqipëria.
-Po në nëntor 2020, autoritetet holandeze kapën 475 kg kokainë të nisur nga Ekuadori.
-Në janar 2021, policia turke sekuestroi 236 kg marijuanë të dyshuar se ishte dërguar nga Shqipëria.
Gjatë kontrolleve të kryera një ditë më parë, janë sekuestruar rreth 415 mijë euro, shuma të tjera parash, 11 telefona, tre automjete, një armë zjarri, jelek antiballistik dhe sende të tjera me vlerë. Njëri nga të hetuarit, Marvin Bushati, u arrestua në flagrancë pasi iu gjet armë pa leje në banesë./ Zoom.al