Aplikacion
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet sot në orën 09:00 për të zgjedhur drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i cili do të pasojë Altin Dumanin në krye të institucionit. Mandati i kreut të ri do të jetë 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Për drejtimin e SPAK garojnë katër prokurorë të këtij institucioni: Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliudhe Adnan Xholi.
Ndërkohë, puna e kreut aktual Altin Dumani është vlerësuar së fundmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një zyrtar i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë theksoi për News24 se pavarësia dhe funksionimi i pandikuar i SPAK janë vendimtare për sigurinë e qytetarëve shqiptarë, duke e cilësuar SPAK-un si “partner të çmuar” në luftën kundër krimit ndërkombëtar.
Edhe Bashkimi Evropian ka treguar interes të posaçëm për procesin. Zyra e BE-së në Shqipëri njoftoi se Ambasadori Silvio Gonzato, së bashku me ambasadorë të vendeve anëtare, do të jenë të pranishëm gjatë procedurës së përzgjedhjes. BE shprehu besimin se KLP do të tregojë përgjegjshmëri të lartë dhe se kreu i ri duhet të ketë integritet të padiskutueshëm, pavarësi dhe profesionalizëm, në përputhje me standardet më të mira evropiane.
Reagim ka ardhur edhe nga Ambasada Britanike, e cila e cilësoi zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK një hap të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo theksoi rëndësinë e një procesi “të lirë, të drejtë dhe transparent” dhe u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me këdo që do të marrë drejtimin e SPAK.
Procesi i sotëm pritet me interes të lartë publik dhe ndërkombëtar, duke reflektuar rolin kyç që SPAK ka në drejtësinë shqiptare dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Zoom.al