zoom

Lajme

Menaxheri i Shpat Kasapit pas vdekjes së papritur të këngëtarit: Një humbje e rëndë për të gjithë

Menaxheri i Shpat Kasapit pas vdekjes së papritur të këngëtarit: Një humbje e rëndë për të gjithë

Ndarja e papritur nga jeta e këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi, në moshën 40-vjeçare, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak në Itali, ka tronditur botën e muzikës dhe publikun. Pas lajmit të hidhur, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga menaxheri i artistit.

Në profilin zyrtar të këngëtarit në rrjetet sociale, menaxhmenti shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e Kasapit dhe njoftoi se detajet e ceremonisë mortore do të publikohen së shpejti.
“Humbja e Shpatit është një goditje e rëndë dhe një dhimbje e madhe për të gjithë ne… Së shpejti do t’ju informojmë me detaje të plota rreth procedurave të varrimit”, shkruhet ndër të tjera në reagimin zyrtar.

Reagim emocional ka bërë edhe ish-bashkëshortja e tij, Selvije Jao, me të cilën këngëtari ka një djalë, Roelin. Ajo zbuloi se Shpati ka ndërruar jetë në krahët e saj, duke e përshkruar momentin si të pabesueshëm dhe tejet të dhimbshëm.

“Ndrove jetë në krahët e mi, o jetë… Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentat në Itali, që të mund ta çonim tek logopedët më të mirë. Sa të afërt kemi qenë, sa bashkëpunues, duke shijuar rritjen e Roelit. Nuk prite ta dëgjoje duke të thirrur babi… nxitove dhe na le këtu vetëm”, shkruan Jao në mesazhin e saj prekës.

Ajo tregon se djali i tyre është diagnostikuar me spektrin e autizmit dhe se të dy prindërit po punonin bashkë për t’i siguruar trajtimin e specializuar jashtë vendit.
“Në kohën kur i duheshin më shumë se kurrë duart e tua… e le Roelin jetim”, shtoi ajo, duke i drejtuar ish-bashkëshortit fjalë të fundit plot dhimbje e mall.

Vdekja e Shpat Kasapit ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa artistë, kolegë dhe fansa po i shprehin ngushëllimet familjes dhe të afërmve për këtë humbje të rëndë.

Postime të lidhura