Aplikacion
Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajtën sot homazhet për këngëtarin e njohur Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë papritur më 26 nëntor në Itali, gjatë një vizite me partneren e tij Selvije Lao dhe të birin.
Arkivoli i tij ishte i mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar.
Gjatë ceremonisë, bashkëshortja e Kasapit, Selvije Lao shpërtheu në lot, teksa qëndronte pranë trupit të tij për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Familjarë, miq dhe kolegë të artit shprehën dhimbjen e tyre dhe respektin për kontributin e tij në muzikë.
Motra e Shpat Kasapit, Jehona, mori fjalën dhe përloti të pranishmit.
Ajo e përshkroi vëllain si një njeri të butë, me zemër të madhe dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe të tjerëve.
“Sot me zemër të thyer jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim, është shumë e vështirë për të përshkruar fjalët për të përshkruar dhimbjet që ndiej.
Shpat, shpirti i motrës, ti linde me yll në ballë, ishe një njeri i mirë, dije t’i ndieje hallet nga empatia jote e madhe. Ishe një njeri i mirë me zemër të bardhë dhe fisnik.
Shpati, ti i doje shumë fëmijët dhe pleqtë. Doje shumë të qeshësh, buzëqeshja ishte sinonim i yti. Është e rëndë të pranojmë se nuk do dëgjojmë zërin tënd, por ti do të mbetesh gjithmonë në zemrën. Ti do të mbetesh dritë në familjen tonë. Amanetin tënd Roelin, do ta shoh si sytë e ballit”, u shprehej ajo.

Shpat Kasapi la pas një karrierë të pasur muzikore, duke marrë pjesë në festivale të njohura dhe realizuar bashkëpunime që kanë lënë gjurmë te publiku./ Zoom.al