zoom

Lajme

Kriza me SHBA/ Rama: Paralajmërimet, hamendësime. Ambasada i ripërsërit brenda 24 orëve

Kriza me SHBA/ Rama: Paralajmërimet, hamendësime. Ambasada i ripërsërit brenda 24 orëve

Në një qëndrim që kapërcen çdo limit diplomatik, Kryeministri Edi Rama ka sfiduar hapur ambasadën amerikane në Tiranë, duke e etiketuar paralajmërimin zyrtar të saj për sulme iraniane si një “hamendësim”. 

Në një kohë kur Uashingtoni flet për rrezik real ndaj jetës së qytetarëve amerikanë në Shqipëri, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, qeveria Rama ka zgjedhur t’i bëjë biografinë inteligjencës më të fuqishme në botë, duke e shpërfillur atë me të njëjtën arrogancë siç shpërfill opozitën. 

Por në të njëjtën kohë kur qëndrimi i Ramës po ripërsëritej në parlament nga deputetë e ministra të tij, ambasada amerikane në Tiranë e ritheksoi mesazhin e saj. 

“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve.  Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë.  Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm” -thuhet në një reagim të ambasadës së SHBA për Euronews Albania. 

Por përsëritja e alarmit nga ambasada brenda 24 orëve është një mesazh i drejtpërdrejtë se parlajmërimet e Uashingtonit nuk janë hamendësime, por shetësime reale për të mbrojtur qytetarët e vet. 


Nën qeverinë Rama, Shqipëria po kalon një prej periudhave më të vështira në marrëdhënet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zgjedhjes së presidentit Trump. Kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare në Uashington, ndërsa ai, siç kanë raportuar gjerësisht mediat, është penguar disa herë nga stafi i Shtëpisë së Bardhë që të jetë në tryezat e presidentit Trump apo zëvendëspresidentit JD Vance me aleatët e NATO-s. Ra në sy fakti që ai nuk u ftua as në Davos në themelimin e Bordit të Paqes, ndërsa në sqarimin që ai dha në parlament tha se kishte zgjedhur të qëndronte me vajzën e presidentit. Në atë kohë ai u takua në Vlorë me Ivanka Trump, të cilës Rama po i jep lejen për resort turistik në Zvërnec dhe Sazan, ndonëse mediat amerikane e kanë quajtur këtë lëvizje si tentativë të tij për të blerë influencë në Shtëpinë e Bardhë. /Zoom.al

Postime të lidhura