zoom

Lajme

Alarmi për sulme nga Irani, Bardhi: Çështjet e sigurisë s‘janë muhabet kafesh, Rama të japë shpjegime! Lamallari: Antiterrori në komunikimin me ambasadën e SHBA

Alarmi për sulme nga Irani, Bardhi: Çështjet e sigurisë s‘janë muhabet kafesh, Rama të japë shpjegime! Lamallari: Antiterrori në komunikimin me ambasadën e SHBA

Debate të forta janë zhvilluar në Kuvend lidhur me deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve për kërcënime të mundshme nga Irani, ndërsa opozita ka kërkuar shpjegime nga qeveria.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi me urgjencë praninë e kryeministrit Edi Rama në seancë plenare, duke e cilësuar skandaloz reagimin e qeverisë që e konsideroi “hamendësim” njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Sipas Bardhit, çështjet e sigurisë kombëtare nuk mund të trajtohen si diskutime të zakonshme apo deklarata politike, ndërsa akuzoi qeverinë se po minon besimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Çështjet e sigurisë nuk janë kafene zoti kryetar… nuk janë çështje Twiteri, burime qeverish apo kafenesh, por janë të rëndësishme. Në si opozitë nuk kemi asnjë informacion për shqetësimin që shfaqi ambasada e SHBA në Shqipëri, por qëndrimi i qeverisë ishte skandaloz… një qeveri që nuk kontrollon dot me radarë miliona litra naftë kontrabandë dhe s’kap një gramë kokainë, apo që nuk pa mijëra hektarë tokë të mbjella me kanabis, nuk mund të jetë e besueshme,” tha ai.

Bardhi kërkoi që kryeministri të japë sqarime përse e cilësoi “hamendësim” paralajmërimin e SHBA-ve, nëse ka koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe cilat janë masat konkrete për sigurinë.

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, hodhi poshtë shqetësimet, duke deklaruar se nuk ka asnjë informacion për rrezik konkret apo sulme të mundshme.

“Jo më larg se dje i kërkova strukturave të sigurisë publike dhe Antiterrorit të jenë në komunikim me Ambasadën dhe është konfirmuar se nuk ka asnjë informacion qoftë edhe inteligjencë në lidhje me një sulm të mundshëm,” u shpreh Lamallari.

Ai sqaroi se njoftimi i Ambasadës Amerikane është pjesë e komunikimeve standarde që bëhen në shumë vende dhe se Shqipëria mbetet një vend i sigurt.

“Postimi ka qenë në vazhdën e postimeve në të gjithë botën. Policia prej disa kohësh ka marrë masa shtesë. Shqipëria mbetet vend i sigurt, përtej postimeve që për fat të keq ju i lexoni vetëm kur janë për Iranin, jo kur janë për protesta me molotovë,” shtoi ministri.

Në përfundim, opozita kërkoi sërish që kryeministri të paraqitet në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi situatën dhe masat e marra për sigurinë kombëtare.

Postime të lidhura