zoom

Lajme

“Shqipëria e kërcënuar nga Irani”/ Mediu: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Balla: Ti shko jep hesap se ke vrarë 26 veta

“Shqipëria e kërcënuar nga Irani”/ Mediu: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Balla: Ti shko jep hesap se ke vrarë 26 veta

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka kërkuar që Presidenti të mbledhë në mënyrë urgjente Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas deklaratës së Ambasadës Amerikane për një kërcënim të mundshëm nga Irani ndaj Shqipërisë.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një raport të tensionuar me Iranin për disa arsye konkrete, duke përfshirë pranimin e opozitës iraniane në vend, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe zhvillimet e fundit ndërkombëtare.

“Shqipëria ka një konflikt të hapur me Iranin që në kohën kur ka pranuar rezistencën iraniane. Shqipëria ka larguar shërbimin diplomatik me Iranin. Para një jave është miratuar një rezolutë që shpalli gardën revolucionare si organizatë terroriste”, deklaroi Mediu.

Ai shtoi se qëndrimi i Ambasadës Amerikane bazohet në informacione të shërbimeve inteligjente, çka e bën edhe më të domosdoshme një reagim institucional.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me rrezikun që mund të ketë Shqipëria për ndonjë sulm nga Irani.

Gjatë fjalës në Kuvend Balla ka kërkuar që të mos përhapet panik nga deputetët e opozitës, ndërsa iu drejtua Fatmir Mediut duke i thënë se duhet të shkojë dhe të japë llogari para drejtësisë për jetët e humbura në tragjedinë e Gërdecit.

“Jemi krenarë që kemi miratuar në Kuvend një deklaratë që për turpin tuaj nuk morët pjesë dhe thatë që i shpallëm luftë Iranit, ndërkohë lërini teatrot dhe bëni atë që bën çdo politikan o përgjegjshëm. Nuk ka asnjë informacion zyrtar për të qenë target i këtyre sulmeve… ti jep hesap para drejtësisë së ke vrarë 26 veta, na bën si përfaqësues i Kongresist…. Zoti kryetar ju lutem shumë të kalojmë te pikat e ditës,”- tha Balla./ Zoom.al

Postime të lidhura