zoom

Aktualitet

VanHorn në Delvinë: Sinjal për investime strategjike në sektorin e gazit

VanHorn në Delvinë: Sinjal për investime strategjike në sektorin e gazit

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, së bashku me ambasadorin e Holandës në Tiranë, Reinout Vos, kanë zhvilluar një vizitë në Fushën e Gazit në Delvinë. Vizita u realizua me qëllim eksplorimin e mundësive që ofron sektori energjetik në Shqipëri dhe vlerësimin e potencialit për investime të huaja.

Në një reagim zyrtar në rrjetet sociale, ambasada amerikane theksoi rëndësinë e krijimit të një klime të qartë dhe transparente rregullatore, e cila është thelbësore për të tërhequr investitorë ndërkombëtarë.

Sipas saj, kjo vizitë shërben për të nxitur bashkëpunimin dhe për të identifikuar mundësi konkrete në sektorin e energjisë.

Ambasada theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po promovojnë një epokë të re të rritjes së prodhimit energjetik, duke nënvizuar se investimet amerikane kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjetike në nivel global. Në këtë kontekst, vizita në Delvinë u konsiderua si pjesë e interesit për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të mbështetur zhvillimin e sektorit energjetik në Shqipëri.

Presidenti Trump po nxit një epokë të re të rritjes së prodhimit energjetik amerikan, me investimet amerikane që forcojnë sigurinë energjetike globale. Duke theksuar rëndësinë e një mjedisi rregullator transparent për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe Ambasadori holandez Reinout Vos vizituan Fushën e Gazit në Delvinë javën e kaluar për të eksploruar mundësitë në sektorin energjetik të Shqipërisë“-thuhet në reagimin e ambasadës./ Zoom.al

Postime të lidhura