zoom

Aktualitet

“I kërkojmë falje familjes së gjyqtarit”- Lihen pas hekurave Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, shprehën pendesë për krimin

“I kërkojmë falje familjes së gjyqtarit”- Lihen pas hekurave Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, shprehën pendesë për krimin

Gjykata e Tiranës ka lënë pas hekurave Elvis Shkambin, i akuzuar për vrasjen e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, xhaxhain e tij Gjon Shkambi dhe oficerin e sigurisë Banush Koxhajn.

Gjatë seancës, xhaxha e nip kanë shprehur publikisht pendesë dhe kërkuan falje ndaj familjes së gjyqtarit Kalaja.

Ata justifikuan veprimet e tyre duke thënë se ishin rezultat i një tronditjeje të thellë psikologjike, për shkak të një çështjeje të gjatë dhe të vështirë pronësie, që sipas tyre ka zvarritur padrejtësisht në gjykata.

Të pandehurit shprehën gjithashtu pakënaqësi ndaj sistemit gjyqësor, duke deklaruar se proceset gjyqësore nuk e kanë zgjidhur drejt çështjen e tyre.

Seanca gjyqësore ndaj Elvis Shkambit, Gjon Shkambit dhe Banush Koxhajt u zhvillua mes masash të forta sigurie, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mesditën e 6 tetorit në ambientet e Gjykatës së Tiranës.

Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, si dhe për plagosjen me armë zjarri të dy personave të tjerë — babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj — të cilët ishin palë në procesin gjyqësor që po shqyrtohej në atë moment.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj tij tre akuza të rënda:

  • Vrasje e funksionarëve publikë,
  • Vrasje në rrethana cilësuese kundër palëve të përfshira në proces, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë,
  • Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.

Ndërkohë, për xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, organi i akuzës dyshon se kishte dijeni për planin e nipit për të sulmuar palën kundërshtare në konfliktin gjyqësor për një pronë në Shkodër. Madje, sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka pasur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir.

Punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, po përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk ka kryer kontrollet e nevojshme në hyrje të gjykatës, pavarësisht se detektorët metalikë dhanë sinjal gjatë kalimit të Elvis dhe Gjon Shkambit. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as ka bërë regjistrimin përkatës në librin e protokollit, siç e parashikon rregullorja për çdo qytetar që hyn në institucion.

Hetimet për këtë ngjarje tronditëse vijojnë, ndërsa prokuroria po punon për të zbardhur në detaje rrethanat dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve.

Postime të lidhura