zoom

Aktualitet

Qeveria blindon gjyqtarët e prokurorët pas vrasjes së Astrit Kalasë: Truproja edhe pas përfundimit të mandatit

Qeveria blindon gjyqtarët e prokurorët pas vrasjes së Astrit Kalasë: Truproja edhe pas përfundimit të mandatit

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja teksa ushtronte detyrën, qeveria do të forcojë masat për ruajtjen e anëtarëve të drejtësisë.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kryetarët e gjykatave, drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme do të ruhen me truproja jo vetëm gjatë kohës që shërbejnë në sistem, por edhe pasi të mbarojnë detyrën.

Për drejtuesit e GJKKO dhe të BKH mbrojtja do të vijojë edhe për 2 vite pas përfundimit të mandatit, ndërsa drejtuesi i SPAK do të ruhet edhe për 3 vite të tjera pas mbarimit të detyrës.

“Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi një sërë vendimesh:

-Ndryshim në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Në Pikën 3 te vendimit “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij”, njoftoi zyra e Kryeministrisë.

Alarmi për sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve u ngrit sepse Astrit Kalaja u ekzekutua me breshëri në sallën e gjyqit, në momentin që po lexonte vendimin. Autori ia doli të futej me pistoletë në sallë, duke kryer masakër brenda në gjykatë./ Zoom.al

Postime të lidhura