Aplikacion
Banorët pallatit në Shkodër, që është në qendër të një konflikti pronësie mes tyre dhe familjes Shkambi, kanë treguar për “Shqipëria Live” se ndihen të pasigurt pas ngjarjes së rëndë ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Ata thonë se godina ku jetojnë është bërë shkak për përplasjen e gjatë ligjore, e cila zgjat prej më shumë se 13 vitesh.
Çifti Pashko dhe zonja Pepniku tregojnë se apartamentin e kanë blerë në vitin 1996 nga Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes, Elvis Shkambi. Ata theksojnë se posedojnë dokumente ligjore dhe deklarata noteriale që vërtetojnë blerjen.
“Kam paguar 4 milionë lekë në dorë, në vitin 1996. Kam dokumente origjinale të dorëzuara në gjykatë. Gjykata e ka njohur si të vlefshme. Megjithatë, familja Shkambi nuk e ka pranuar kurrë shitjen dhe na ka kërcënuar shpesh”, tha zonja Pepniku.
Sipas banorëve, problemi ka nisur në vitin 2008, kur prona është regjistruar në hipotekë në emër të fisit Shkambi, ndonëse ata kishin dokumente të mëparshme nga bashkia e Shkodrës që datojnë në vitin 1992.
“Në ’92 bashkia na ka pajisur me letra pronësie. Pastaj, në 2008, prona u fut në emër të familjes Shkambi në mënyrë të padrejtë. Që atëherë jemi nëpër gjyqe pa fund”, u shpreh Pashko Pepniku./ Zoom.al
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar dokumentet dhe për t’i dhënë fund kësaj situate që, sipas tyre, po rrezikon jetët e tyre./ Zoom.al