zoom

Aktualitet

U plagos në seancën ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, Ervis Kurtaj: Mora babain nga dora dhe nisa të largohem, por Elvisi qëlloi drejt nesh

U plagos në seancën ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, Ervis Kurtaj: Mora babain nga dora dhe nisa të largohem, por Elvisi qëlloi drejt nesh

Zbardhet dëshmia e Ervis Kurtajt, i plagosur në atentatin brenda Gjykatës së Apelit ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Tragjedia ndodhi mesditën e 6 tetorit, gjatë një seance gjyqësore për një çështje pronësie.

Ervis Kurtaj, i cili ndodhej në sallë së bashku me babain e tij, Ragip Kurtaj, ka treguar për hetuesit momentet tronditëse të ngjarjes.

Ai ishte palë në çështjen që po shqyrtohej dhe ka deklaruar se autori, Elvis Shkambi, u ngrit nga karrigia dhe qëlloi disa herë me armë zjarri ndaj gjyqtarit Kalaja, menjëherë pasi ky i fundit dha vendimin në favor të tyre.

“Kur gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin që ishte në favorin tonë, në atë moment Elvisi u ngrit nga karrigia, iu afrua dhe nisi të qëllonte disa herë me armë zjarri. Në dukje ishte një armë e vogël. Sapo dëgjova krismat, kapa babin nga dora dhe u nisa drejt korridorit. Por sapo kaluam derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi në drejtimin tonë”, – ka dëshmuar Kurtaj përpara hetuesve.

Nga të shtënat mbetën të plagosur babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë larguar një ditë më parë nga spitali dhe janë kthyer në banesë.

Sot, më 8 Tetor, u mbajtën homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, që nisën në orën 09:00 në Pallatin e Kongreseve. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, kolegë, miq, politikanë e familjarë, të cilët i dhanë atij lamtumirën e fundit. /Zoom.al

Postime të lidhura