Aplikacion
Ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës në krye të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është shtyrë për fillimin e javës së ardhshme. Sipas ligjit, Klodjan Braho pritej të merrte detyrën ditën e nesërme, në një aktivitet të drejtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Megjithatë, ceremonia është zhvendosur për ditën e hënë, për shkak se anëtarët e KLP ndodhen jashtë vendit, në një vizitë zyrtare në Spanjë.
Klodjan Braho, me një përvojë 18-vjeçare në sistemin e prokurorisë, u zgjodh kryeprokuror i ri i SPAK më 11 dhjetor, në një proces votimi të zhvilluar në prani të përfaqësive diplomatike ndërkombëtare. Ai do të zëvendësojë Altin Dumanin në krye të institucionit.
Në ftesën zyrtare të shpërndarë nga SPAK thuhet se ceremonia e dorëzimit të detyrës do të zhvillohet të hënën, në orën 10:00, në sallën e mbledhjeve të institucionit dhe do të transmetohet drejtpërdrejt. Për shkak të hapësirës së kufizuar, në aktivitet do të jenë të pranishëm vetëm gazetarë./ Zoom.al