zoom

Aktualitet

Kush është Klodian Braho, drejtuesi i ri i SPAK. Hetoi Ahmetajn dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Kush është Klodian Braho, drejtuesi i ri i SPAK. Hetoi Ahmetajn dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Klodjan Braho u zgjodh sot me 7 vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të drejtuar SPAK-un gjatë tre viteve të ardhshme. Ai do të marrë detyrën më 19 dhjetor, menjëherë pasi të përfundojë mandati i Altin Dumanit.

Braho është pjesë e sistemit të drejtësisë prej vitit 2007 dhe ka qenë ndër prokurorët e parë të përfshirë në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Ai lindi në Skrapar më 21 korrik 1982, kreu studimet për drejtësi në Tiranë dhe më pas u diplomua në Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën e nisi në Prokurorinë e Beratit, më pas në atë të Vlorës, ku për një periudhë ka mbajtur edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit. Në vitin 2015 u transferua në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe, pas krijimit të SPAK-ut, vijoi punën si prokuror i posaçëm.

Gjatë viteve të fundit Braho ka pasur në dorë disa prej dosjeve më të rëndësishme. Ai ka drejtuar hetimet për inceneratorin e Elbasanit, duke firmosur urdhër-arreste ndaj personave kryesorë të skemës dhe duke veçuar hetimin për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.

Në dosjen e inceneratorit të Elbasanit, Klodian Braho punoi bashkë me Arben Krajën. Hetimi çoi në bankën e të akuzuarve ish ministrin Lefter Koka dhe një sërë bashkëpunëtorësh të tij në ministri dhe kompani private. Përfundimi, një dënim prej 5 vite e 8 muaj burg për Kokën dhe sekuestrim të një pjese të pasurisë së tij, si dhe dënime për Alqi Bllakon, Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe disa ish zyrtarë të tjerë.

Po ashtu ka punuar në dosjen “5D” që përfshin ish-drejtues të Bashkisë Tiranë dhe në çështjen “Toyota Auris”, hetim i ndarë në disa pista të ndryshme.

Për dosjen “5D” u lëshuan tre masa sigurie “arrest në burg” për Redi Mollën, ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime, Taulant Tushën, ish drejtor i Punëve Publike, dhe Mariglen Qaton, ish drejtor i IMT. Gjashtë masa të tjera ishin “detyrim paraqitje” për ish anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave. 

Braho është njëkohësisht pjesë e grupit të prokurorëve që kanë çuar në gjykim ish-ministrin Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.

Me emërimin e tij në krye të SPAK, Braho pritet të marrë drejtimin e proceseve të rëndësishme që kjo strukturë ka në duar, sidomos goditjet në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Klodian Braho konsiderohet si një emër i mbështetur nga ambasa amerikane, ndaj pritet me interes si do të vijojë puna e SPAK nën drejtimin e tij./ Zoom.al

Postime të lidhura