zoom

Aktualitet

Dy ditë para largimit, Dumani i jep goditje Ballukut. Zbardhet dokumenti për arrestimin e saj

Dy ditë para largimit, Dumani i jep goditje Ballukut. Zbardhet dokumenti për arrestimin e saj

Në ditët e fundit të mandatit të tij si kryeprokuror i SPAK, Altin Dumani firmosi edhe kërkesën drejtuar Kuvendit për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, që më pas ta arrestojë.

Të premten, Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë Ballukun, duke rrëzuar masën e pezullimit të vendosur më herët nga GJKKO.

Por, SPAK nuk humbi kohë dhe këtë të martë iu drejtua Kuvendit me kërkesën zyrtare për të vënë Ballukun para drejtësisë.

Altin Dumani, që mbahet mend deri tani si kryeprokurori që ka goditur më shumë zyrtarë të lartë, nuk priti kalimin e detyrës te kryeprokurori i ri i zgjedhur i SPAK, Klodian Braho por vendosi që dy ditë para se t’i përfundojë zyrtarisht mandati, të firmosë edhe një goditje (të fundit) për Ballukun dhe të shtojë tenderat për të cilët ajo po hetohet.

“Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi,
parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025.”,- thuhet në kërkesën e SPAK.

Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve do të mblidhet më 19 dhjetor, të premten për të nisur shqyrtimin e kërkesës./ Zoom.al

Postime të lidhura