Aplikacion
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama pas kërkesës zyrtare të SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për t’i hequr imunitetin numrit dy të qeverisë, Belinda Ballukut që më pas të hapet rruga për arrestimin e saj.
Rama sulmon SPAK dhe prokurorin e çështjes, duke deklaruar se edhe Ballukut, ashtu si funksionarëve të tjerë socialistë (siç pretendon kryeministri), po i pritet fleta e arrestit pa gjyq.
Rama shton në reagimin e tij se mazhoranca do të përgatisë një reagim për këtë kërkesë.
Sipas rregullores së Kuvendit, Këshilli i Rregullores së Mandateve dhe Imuniteteve vihet në levizje pas një kërkesë drejtuar nga prokuroria për kufizim ose heqje imuniteti për një ligjvënës për të filluar ndjekje penale ndaj tij apo duke leje për arrestimin e tij.
Kërkesa i paraqitet Këshillit nga Kryetari i kuvendit. Po ashtu, deputeti për të cilin kërkohet fillimi i ndjekjes penale njoftohet mbi këtë kërkesë, si dhe i vihen në dispozicion materialet e përcjella nga Prokuroria, me qëllim përgatitjen e tij për të folur gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.
Ky Këshill, sipas Rregullores së Kuvendit, ka 4 javë kohë pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesës për të përpiluar raportin që do t’i përcjellë seancës plenare, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për autorizim për ndjekje penale për deputetin. Shqyrtimi i këtij raporti vendoset si pikë e parë në rendin e ditës së seancës pasardhëse plenare.
Reagimi i Ramës:
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi. Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht. Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi./ Zoom.al