zoom

Aktualitet

SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, i dërgon kërkesë Kuvendit për t’i hequr imunitetin

SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, i dërgon kërkesë Kuvendit për t’i hequr imunitetin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë zyrtare për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Përmes kësaj kërkese, SPAK kërkon heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut, me qëllim vijimin e procedurave ligjore dhe hapjen e rrugës për masën e arrestit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Njëkohësisht, SPAK bën të ditur se Balluku ka statusin e personit nën hetim edhe për dyshime mbi kryerjen e të njëjtës vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik, që kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore në Tiranë, përfshirë segmentet e ndryshme rrugore dhe lotet e Unazës së Jashtme, si dhe punimet në aksin Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë.

Prokuroria thekson se kërkesa drejtuar Kuvendit synon vijimin e procedimeve në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kjo lëvizje e SPAK vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e përkohshëm në detyrë të Belinda Ballukut, deri më 26 janar, datë kur pritet shqyrtimi në themel i çështjes. Më herët, GJKKO kishte vendosur ndaj saj masat e pezullimit nga detyra dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit, për shkak të shkeljeve të konstatuara në procedura tenderimi./ Zoom.al

Postime të lidhura