Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në një deklaratë publike, Bardhi e cilësoi vendimin si një akt politik dhe jo juridik, duke e konsideruar atë të marrë nën, siç u shpreh ai, “presionin mafioz” të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, ky vendim nuk ka lidhje me Kushtetutën apo ligjin, por synon të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë kryeministrin dhe bashkëpunëtoren e tij.
Bardhi theksoi se Balluku mbetet “e pandehura e vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje dhe as nuk lejon të shkarkohet”, ndërsa shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vetëm i përkohshëm dhe i jep qeverisë pak kohë për të fshehur, sipas tij, aferat korruptive.
Ai nënvizoi se vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje dhe nuk rikthen dëmin ekonomik, duke theksuar se aktet e korrupsionit nuk mund të neutralizohen me manovra procedurale apo vendime të përkohshme. Sipas Bardhit, fundi i kësaj çështjeje nuk do të jetë triumfi i pandëshkueshmërisë, por i së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik.
“Koha mund të blihet, por llogaridhënia jo”, përfundoi reagimin e tij kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Postimi i plotë:
Reagimi i Bardhit: Koha mund të blihet. Llogaridhënia jo! Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit.
Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh. Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim ska asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike. Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër!
Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama – Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë. Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës.
Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese. Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!/ZOOM.AL