zoom

Aktualitet

Reagon Bardhi: Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imunitetit për Ballukun

Reagon Bardhi: Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imunitetit për Ballukun

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kërkesës zyrtare të SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me qëllim caktimin e masës së arrestit.

Në një deklaratë publike, Bardhi e ka cilësuar veprimin e Prokurorisë së Posaçme si një zhvillim të pritshëm, duke theksuar se askush, pavarësisht funksionit që mban, nuk mund të jetë mbi ligjin.

Sipas tij, përballja me drejtësinë është e pashmangshme për çdo zyrtar që dyshohet për vepra penale.

Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje të hapura për të mbrojtur politikisht Ballukun, duke shtuar se këto veprime, sipas tij, lidhen me interesin personal të kreut të qeverisë.

Ai shprehet se Rama dhe Balluku ndodhen “në të njëjtën situatë politike”, ndërsa korrupsioni, sipas tij, po e çon qeverisjen drejt një krize të thellë besimi.

Reagimi i Bardhit:

Rama dhe Balluku në të njëjtën varkë: Republika e Korrupsionit po mbytet!

Përshëndes vendosmërinë dhe integritetin profesional të prokurorit të SPAK-ut, Dritan Prençi, i cili nuk iu nënshtrua presionit të Edi Ramës dhe disa grupeve të rrezikshme kriminale për Belinda Ballukun.

Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe caktimin e masës së arrestit ndaj Belinda Ballukut është akti që e prisnin të gjithë, përfshirë Edi Ramën, pas vendimit të përkohshëm dhe të diktuar nën presion të Gjykatës Kushtetuese. Sot, u bë e qartë se, me prokurorë me integritet, asnjë manovër nuk e ndal dot përballjen me përgjegjësinë penale dhe se Republika e Korrupsionit nuk mbahet më mbi ujë.

Përpjekjet teatrale të Edi Ramës në mbrojtje të Belinda Ballukut nuk janë as politike dhe as institucionale. Ato janë përpjekje dëshpëruese për vetëmbrojtje. Rama përpiqet të shpëtojë lëkurën e tij nga provat me të cilat Belinda Balluku e mban peng.

Ata të dy janë në të njëjtën varkë. Një varkë që fut ujë nga çdo anë. Ujë të pistë korrupsioni, që nuk mbahet më as me propagandë, as me kërcënime, as me manovra procedurale.

Kryetari i Kuvendit të thërrasë menjëherë Këshillin e Imunitetit, të njoftojë anëtarëve materialet menjëherë siç ligji e detyron, si dhe seanca plenare të garantojë parimin e barazisë para ligjit. Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë ndaj drejtësisë nuk mund të tolerohet.

Drejtësia ka folur. Tani Edi Rama nuk ka më ku të fshihet!

Postime të lidhura