zoom

Lajme

Ajola Xoxës i komunikohen akuzat në SPAK, kërkohet zgjatje e hetimeve për Erion Veliajn

Ajola Xoxës i komunikohen akuzat në SPAK, kërkohet zgjatje e hetimeve për Erion Veliajn

Bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’u njohur zyrtarisht me akuzat.

Ndërkohë për kryebashkiakun e Tiranës hetimet përfundojnë më 29 shtator, pasi prokurorët kanë kërkuar zgjatjen e afateve.

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, ndërsa bashkëshortja e tij nën masën detyrim paraqitje.

Çifti Veliaj po hetohen për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Ndërkohë një ditë më parë u mor zyrtarisht i pandehur biznesmeni Elman Abule për pastrim parash.

Ekipi ligjor i Erion Veliajt reagoi ditën e djeshme pas lajmit se SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur Veliajn dhe se që ditën e sotme do t’i komunikohet akuza.

Ata e cilësojnë këtë si mundësinë e parë për të sfiduar akuzat, analizuar provat dhe paraqitur mbrojtjen ligjore.

Po ashtu, avokatët e Veliajt akuzojnë SPAK për shkelje të sekretit hetimor dhe ndikim të qëllimshëm në opinionin publik.

Në deklaratën e tyre, ata nënvizojnë se lajmet e publikuara në media për një takim të planifikuar nesër mes avokatëve të Veliajt dhe SPAK-ut, janë prova e radhës se informacionet po qarkullojnë jashtë çdo procedure ligjore, madje para se vetë i hetuari të njoftohej zyrtarisht.

“Kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj”, thuhet në reagim.

Sipas ekipit ligjor, rrjedhja e vazhdueshme e të dhënave sekrete nga dosja hetimore përbën vepër penale, dhe mungesa e ndonjë procedimi penal ndaj personave përgjegjës tregon tolerim apo bashkëpunim të vetë organit të akuzës.

Reagimi i plotë

Reagim i ekipit ligjor të z. Veliaj:

“Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.

Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal, tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale.

Siç jemi njohur nga mediat e “SPAK”, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.

Z. Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur.”/ Zoom.al

Postime të lidhura