zoom

Aktualitet

Tradhti politike? Ulsi Manja “braktisi” Erion Veliajn, si dështoi Plani B i kryebashkiakut për t’u bërë deputet

Tradhti politike? Ulsi Manja “braktisi” Erion Veliajn, si dështoi Plani B i kryebashkiakut për t’u bërë deputet

Një nga strategjitë e Erion Veliajt, ndërsa ndodhej në burg nën masën e arrestit, ka qenë përpjekja për t’u futur në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, me qëllimin për të përfituar imunitet parlamentar dhe t’i shpëtonte ndjekjes penale nga SPAK.

Ky plan rezulton i dokumentuar në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme, falë një bisede të zhvilluar nga Veliaj me telefonin e një gardiani gjatë një udhëtimi drejt Gjykatës së Apelit më 13 mars.

Sipas SPAK, kjo bisedë dhe të tjera të ngjashme, përfshirë ato me vëllain Arbrin dhe bashkëshorten Ajola, janë pjesë e provave për akuzën e shtuar ndaj tij për përdorim të sendeve të ndaluara në burg. “Ora News” ka siguruar dokumente që zbulojnë këto komunikime, ku del në pah një “Plan B” i Veliajt për të hyrë në listën e kandidatëve, një përpjekje që dështoi pas publikimit të listave zyrtare të 11 majit.

Një nga dëshmitë e gardianit, i cili pranoi se i kishte dhënë telefonin Veliajt, tregon për një skenar konkret: të hiqej një kandidat i ri, me arsyetimin e problemeve shëndetësore, për të liruar vendin që të futej Veliaj në garë. Kjo do t’i siguronte atij mbrojtje ligjore nëse zgjidhej deputet, duke u detyruar të lihej i lirë.

Veliaj, në bisedat e tij, ka përmendur edhe shembuj të tjerë si Tërmet Peçi dhe një tjetër me mbiemrin Malaj, që sipas tij po synonin të bëheshin deputetë për të shmangur hetimet e SPAK. Gjithashtu, ai shpreh zhgënjimin për deputetin Ulsi Manja, për të cilin thotë se “e ka nxjerrë vetë” nga Paskuqani apo Lapraka, por që, sipas tij, mbështet SPAK-un.

Pavarësisht përpjekjeve, Veliaj nuk u përfshi në listat për zgjedhjet e 11 majit dhe më vonë edhe kërkesat e tij në Gjykatën e Lartë u rrëzuan, duke bërë që ai të mbetet në burg.

Postime të lidhura