Aplikacion
Në vitin 2017, fushata e ish-favoritit për president në Francë, François Fillon u shkatërrua pas një skandali të njohur si “Penelopegate”. Fillon u zbulua se i kishte paguar gruas së tij 1 mln euro nga fondet publike duke falsifikuar dokumentacione se ajo ishte e punësuar si asistente në parlament. Karriera e tij u shkrumbua.
Detajet e bëjnë këtë skandal tepër të ngjashëm me rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili bashkë me gruan Ajola Xoxa akuzohen për shpërdorim të fondeve publike dhe pastrim parash. Me anë të një skeme jo fort të sofistikuar, Xoxa përdorte organizatën e saj jo-fitim prurëse për të kanalizuar paratë publike tek persona të afërt me të, familjarë e biznesmenë.
Përveç përfshirjes së gruas, Veliaj dhe Fillon kanë dhe një tjetër të përbashkët; tentativat për rimbëkëmbjen e imazhit.
Ashtu si Fillon para 8 vitesh, edhe Veliaj ka kaluar të njëjtat faza për katarsisin e figurës; nga fajësimi i “atyre që i duan të keqen” tek “ndershmëria”. Momentalisht lali Eri është në fazën e fundit; mediat sociale.
Një mendje e re pranë ekipit të tij po poston video të Veliajt duke ndjekur trendet e TikTok, por duke i qëndruar narrativës politike, p.sh në një video të fundit flet për ata që e sulmuan, ndërsa në sfond dëgjohet audio virale e Rihanna-s “I’ma fight a man”. Kjo strategji, në marketing njihet si “trendjacking”, kapja e trendeve, ku politikanët përfshihen në çdo temë ku ka të rinjë.
Në librin e tij të 1959-s, sociologu Ervin Goffman shpjegon teorinë e “menaxhimit të reagimit”. Sipas tij, pas një skandali, politikanët tentojnë të “riformulojnë” figurën e tyre në publik përmes rrjeteve sociale, duke kontrolluar kujtimet, ndjesitë dhe vëmendjen që i kushtohet imazhit të tyre.
Jeffrey Alexander, ekspert i teorive të sociologjisë zhvilloi konceptin e “performancës politike”. Sipas tij, politikanët në buzë të greminës krijojnë një skenar për të prekur audiencën. Ata krijojnë narrative që ndajnë të keqen (ata, armiqtë) nga e mira (ne, viktima). Ekipi dhe politikani përdorin kodet morale të pranuara nga shoqëria, terma përfshirës dhe gjuhë që prek grupe kritike, në rastin e Veliajt, të rinjtë.
Alexander thekson se kjo fushatë vjen me një risk të madh. Audienca, të rinjtë ka gjasë të kuptojnë shumë shpejt “manipulimin” digjital apo mungesën e sinqeritetit dhe kjo do të çonte në një “vdekje” përfundimtare të figurës së politikanit.
Studimet tregojnë se rastet e pakëta kur politikanët ia kanë dalë të pastrojnë imazhin e tyre me këto praktika janë ato të kërkim-faljes.
Politikanët që kanë pranuar fajet dhe i janë përulur votuesve të tyre janë parë si të sinqertë dhe të penduar (rasti i Justin Trudeau në 2021).
Në rastin e Veliajt, i burgosur dhe i akuzuar, pendesa dhe falja mund t’i kushtojnë lirinë, por do t’i amortizojnë turpërimin para atyre që e besuan.
Votuesit nuk e harrojnë sa herë i kërkuan vota dhe sa herë nuk i kërkuan falje!/Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit