Aplikacion
Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu paraditen e së enjtes në një impiant riciklimi metalesh në zonën e Aspropyrgos, pranë Athinës, duke lënë të plagosur disa persona, ndërsa disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve greke, flakët nisën pak para orës 08:00 në një kompani që merrej me tregtimin e pjesëve të këmbimit për kamionë dhe makineri të rënda. Brenda pak minutash, zjarri u përhap edhe në një fabrikë plastike pranë objektit, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan 75 zjarrfikës, 20 automjete zjarrfikëse, katër mjete speciale dhe një helikopter. Situata u bë edhe më e rrezikshme për shkak të pranisë së një kamioni të ngarkuar me bombola propani brenda kompleksit, çka rriti ndjeshëm mundësinë e shpërthimeve.
Nga të dhënat paraprake, disa persona u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Shtatë të plagosur po trajtohen në Spitalin “Thriasio”, ku dy prej tyre ndodhen të intubuar dhe në gjendje të rëndë. Tre të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta dhe pritet të lënë spitalin gjatë ditës, ndërsa dy persona të tjerë u paraqitën vetë për mjekim dhe u larguan pasi morën trajtimin e nevojshëm.
Mes të plagosurve është edhe një 42-vjeçar, i cili dyshohet se është pronari i biznesit. Ai u transportua me ambulancë në Spitalin “Attikon”, ku ndodhet në gjendje shumë të rëndë. Mjekët pritet ta transferojnë në Njësinë e Djegieve të Spitalit KAT për trajtim të specializuar.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e plotë të flakëve./ Zoom.al
Policia jep detaje për plagosjen në Shëngjin, kush është i riu që u godit me thikë (EMRI)