zoom

Aktualitet

Zbardhet skema e tjetërsimit të pronave në Durrës, gjykata lëshon 12 masa sigurie (EMRAT)

Zbardhet skema e tjetërsimit të pronave në Durrës, gjykata lëshon 12 masa sigurie (EMRAT)

Gjykata e Durrësit ka lëshuar 12 masa sigurie në kuadër të një hetimi të Prokurorisë që lidhet me një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave shtetërore. Në fokus të procedimit janë ish-funksionarë të Hipotekës së Durrësit, si edhe persona që dyshohet se kanë përfituar nga këto veprime.

Sipas burimeve paraprake, hetimi ka zgjatur rreth katër vite dhe ka evidentuar dyshime për kryerjen e disa veprave penale, mes tyre falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Ndërkohë, Policia e Durrësit ka nisur ekzekutimin e masave të vendosura nga gjykata.

Masat e sigurisë janë caktuar si më poshtë:

  • Shaqir Sheshi – arrest në shtëpi, i dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
  • Viktor Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
  • Arianit Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
  • Besnik Xhafa – arrest në shtëpi, i dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
  • Fiqeret Xhafa – detyrim paraqitjeje, e dyshuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
  • Jonida Mergeja – detyrim paraqitjeje, e dyshuar për shpërdorim detyre.
  • Leandro Dervishi – detyrim paraqitjeje, i dyshuar për shpërdorim detyre.
  • Artur Çobani – detyrim paraqitjeje, i dyshuar për shpërdorim detyre.

Procedimi penal nisi pas një procesi verifikimi të regjistrave hipotekorë në Kadastrën e Durrësit. Gjatë kontrollit u konstatuan parregullsi të shumta në dokumentacion, të cilat ngritën dyshime për ndërhyrje të paligjshme në regjistrimin e pronave.

Nga mbi një mijë regjistra të analizuar, vetëm një pjesë e vogël rezultuan të rregullt, ndërsa në shumë raste u evidentuan faqe të munguar, të zëvendësuara, të dëmtuara ose të dubluara. Këto gjetje çuan në thellimin e hetimeve për të dokumentuar një skemë të dyshuar manipulimi të dokumentacionit dhe përfitimi të paligjshëm të pronave shtetërore.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që Prokuroria dhe Policia të publikojnë detaje të tjera mbi ecurinë e çështjes, personat e përfshirë dhe pronat që dyshohet se janë tjetërsuar./ Zoom.al

Postime të lidhura