zoom

Aktualitet

Vrasje në Greqi, 41-vjeçari masakron me thikë gruan në shtëpi

Vrasje në Greqi, 41-vjeçari masakron me thikë gruan në shtëpi

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Kalamatës në Greqi, ku një 41-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij 39-vjeçare brenda apartamentit ku jetonin së bashku.

Sipas mediave greke, krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës. Burri u ka thënë hetuesve se ishte zgjuar papritur dhe kishte parë gruan me një thikë në dorë, duke pretenduar se kishte reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes. Megjithatë, autoritetet greke nuk e kanë konsideruar të besueshëm këtë version.

Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuza për vrasje me paramendim, ushtrim dhune në familje dhe shkelje të ligjit për armëmbajtjen.

Sipas dëshmive të fqinjëve, pak para orës 02:00 nga banesa dëgjoheshin britma dhe thirrje për ndihmë nga gruaja. Banorët njoftuan menjëherë policinë, por kur patrullat mbërritën në vendngjarje, ajo kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Hetuesit deklarojnë se fillimisht 41-vjeçari refuzoi të hapte derën për efektivët. Pas ndërhyrjes së policisë, ai u gjet me njolla gjaku në trup, ndërsa gruaja ndodhej pa shenja jete në dhomën e gjumit. Sipas ekspertizës paraprake, ajo kishte marrë goditje të shumta me sende të forta dhe plagë nga thika në pjesë të ndryshme të trupit.

Autoritetet dyshojnë se arma e ftohtë e gjetur pranë viktimës mund të jetë vendosur aty më pas, me qëllim që autori të mbështeste pretendimin për vetëmbrojtje.

Në apartament ndodheshin edhe dy vajzat e mitura të çiftit, 6 dhe 10 vjeçe, të cilat po flinin gjatë momentit të krimit. Pas ngjarjes, ato janë dërguar në Klinikën Pediatrike të Spitalit të Kalamatës për kujdes psikologjik dhe vëzhgim mjekësor.

Fqinjët kanë treguar për mediat se debatet dhe konfliktet në familje ishin të shpeshta. Disa prej tyre pretendojnë se kishin dëgjuar edhe më herët gruan të kërcënonte se do të telefononte policinë nëse dhuna do të përsëritej.

Një mike e 39-vjeçares tha se e njihte prej vitesh dhe se nuk kishte dijeni për probleme kaq serioze mes çiftit. Ndërkohë, familjarët e viktimës po kujdesen aktualisht për dy fëmijët e mitur./ Zoom.al

Postime të lidhura