Aplikacion
Një ngjarje e rëndë, e mbajtur e fshehtë për më shumë se një muaj dhe e raportuar fillimisht si vdekje natyrale është zbardhur nga Policia e Lezhës.
Bëhet fjalë për vdekjen e 85-vjeçares D. Sh., në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit, e ndodhur më 30 prill 2026. Sipas hetimeve, e moshuara ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës, ndërsa si autore e dyshuar e krimit është identifikuar vajza e saj, Violeta Shpani, 57 vjeçe.
Hetimet nisën pasi policia siguroi informacione operative që ngritën dyshime mbi rrethanat e vdekjes së 85-vjeçares, e cila ishte deklaruar si rast vdekjeje natyrale dhe nuk ishte raportuar pranë autoriteteve ligjzbatuese.
Pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, u arrit në përfundimin se bëhej fjalë për një vrasje brenda familjes.
Sipas Policisë, 57-vjeçarja jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Gjatë hetimeve është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me ngjarjen./ Zoom.al