zoom

Aktualitet

”S’mund të fshihte e vetme gjurmët”- E moshuara u m*sakrua me thikë nga vajza? Familjarët ngrenë dyshime

”S’mund të fshihte e vetme gjurmët”- E moshuara u m*sakrua me thikë nga vajza? Familjarët ngrenë dyshime

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fushë-Mamurras, ku 57-vjeçarja Violeta Shpani dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e saj, 85-vjeçaren.

Pas publikimit të lajmit, familjarë të së ndjerës kanë reaguar, duke pretenduar se autorësia e krimit nuk duhet t’i atribuohet vetëm Violeta Shpanit. Sipas tyre, 57-vjeçarja vuan prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk do të ishte në gjendje të organizonte e vetme një ngjarje të tillë, aq më tepër të fshihte gjurmët e saj.

Të afërmit bëjnë me dije se pranë banesës së 85-vjeçares jetonte edhe djali i saj së bashku me bashkëshorten. Sipas deklarimeve të tyre, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të tensionuara, ndërsa pretendojnë se kanë ekzistuar edhe episode të mëparshme dhune ndaj të moshuarës dhe vajzës së saj.

Për këtë arsye, familjarët kërkojnë që hetimet të mos kufizohen vetëm te pista që implikon Violeta Shpanin, por të verifikohen të gjitha rrethanat dhe personat që mund të kenë lidhje me ngjarjen.

Ata ngrenë pikëpyetje edhe për mënyrën se si është zhvilluar ceremonia mortore. Sipas tyre, varrimi është organizuar sipas traditave të Mirditës, që kërkojnë përgatitje dhe angazhimin e disa personave, çka, sipas familjarëve, do të ishte e vështirë të realizohej nga një person me probleme të shëndetit mendor.

Një tjetër element që, sipas tyre, duhet të hetohet është edhe koha e njoftimit të familjarëve. Ata thonë se janë lajmëruar për vdekjen e 85-vjeçares rreth orës 14:00, ndërkohë që dyshohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Kujtojmë se Policia e Lezhës arrestoi një ditë më parë Violeta Shpanin si të dyshuarën kryesore për vrasjen e nënës së saj. Po ashtu, është proceduar penalisht edhe mjekja që kishte raportuar fillimisht vdekjen e të moshuarës si pasojë e shkaqeve natyrale.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.