Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i policisë greke në Mikrolimano të Pireut, ku mbeti i plagosur 42-vjeçari shqiptar Alesio Xhelo, i njohur me nofkën “Titi”.

Sipas autoriteteve greke, efektivët e anti-krimit po kryenin kontrolle në zonë kur identifikuan një person të dyshimtë jashtë një dyqani. Në momentin që policët iu afruan për kontroll, shqiptari tentoi të largohej dhe më pas nxori armën duke e drejtuar ndaj efektivëve.
Policia bën me dije se një prej agjentëve, duke parë rrezikun e menjëhershëm, qëlloi ndaj 42-vjeçarit duke e plagosur dhe neutralizuar në vend. Ai u transportua në spital nën masa të rrepta sigurie. Gjatë kontrollit fizik, autoritetet sekuestruan dy pistoleta të mbushura, ndërsa arma që iu drejtua policit kishte një plumb në fole dhe një karikator me 32 fishekë gati për përdorim.
Po ashtu, në çantën e shpinës që dyshohet se i përkiste shqiptarit, policia gjeti sasi droge dhe gjashtë granata dore, çka bëri që në vendngjarje të ndërhynte edhe njësia speciale për çaktivizimin e eksplozivëve.
Sipas mediave greke, Alesio Xhelo rezulton me precedentë të shumtë penalë që prej vitit 1995, përfshirë akuza për vrasje, tentativë vrasjeje, grabitje, rrëmbim, organizatë kriminale dhe armëmbajtje pa leje.
Autoritetet greke deklarojnë se ndaj tij kishte gjithashtu një urdhër arresti europian dhe njoftim të kuq ndërkombëtar. Sipas hetimeve paraprake, ai ishte arrestuar jashtë Greqisë në vitin 2019 dhe kishte vuajtur dënimin në Shqipëri deri në vitin 2025, ndërsa më pas dyshohet se ishte futur ilegalisht në territorin grek.
Në mars të vitit 2025, ai ishte arrestuar sërish pasi kishte kërcënuar dhe fyer një efektiv të FNSH-së gjatë detyrës, por rezulton të jetë liruar disa muaj më vonë.
Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e aktivitetit kriminal të 42-vjeçarit në Greqi./ Zoom.al