zoom

Aktualitet

Rrëmbim, p*rdhunim e vrasje, e shkuara kriminale e 42-vjeçarit shqiptar që u qëllua me plumb në kokë nga policia greke

Rrëmbim, p*rdhunim e vrasje, e shkuara kriminale e 42-vjeçarit shqiptar që u qëllua me plumb në kokë nga policia greke

Mediat greke kanë zbardhur detaje nga e shkuara kriminale e 42-vjeçarit shqiptar Alesio Xhelo, i cili u plagos një ditë më parë në kokë gjatë një përplasjeje me policinë greke në zonën e Pireut.

Ai rezulton me precedentë penalë që prej moshës 11-vjeçare, kur kishte hyrë ilegalisht për herë të parë në Greqi.

Arrestimi i parë i tij daton në dhjetor të vitit 1995, kur u ndalua nga Departamenti i të Miturve për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm në territorin grek. Në vitin 1996 u arrestua edhe dy herë të tjera për të njëjtën vepër penale.

Në korrik të vitit 1997, ndaj tij u ngrit padi për grabitje nga Departamenti i Policisë së Paleo Faliros, ndërsa në vitin 1998, ende i mitur, u dënua nga Gjykata e të Miturve për grabitje, armëmbajtje dhe përdorim arme.

Në vitet që pasuan, Xhelo u përfshi në një sërë çështjesh penale, mes tyre vjedhje, tentativë vjedhjeje dhe shpërndarje droge. Në maj të vitit 2002 ai përfundoi për herë të parë në burg, pasi u dënua për vjedhje dhe më pas për grabitje.

Një nga episodet më të rënda ku ai dyshohet i përfshirë daton në mars të vitit 2003, kur sipas mediave greke u identifikua nga një grua si pjesë e një grupi personash që e rrëmbyen dhe e përdhunuan në një zonë të izoluar në Aspropyrgos.

Më pas, emri i tij u lidh me disa grabitje dhe banda kriminale të armatosura. Në vitin 2012, gjatë një tentative për vjedhjen e një automjeti në Kaisariani, ai dyshohet se qëlloi për vdekje një person që tentoi të pengonte grabitjen.

Në vitin 2013 u akuzua për tentativë vrasjeje, grabitje dhe vjedhje, ndërsa sipas autoriteteve banda ku ai bënte pjesë ishte e armatosur me kallashnikovë, granata dhe pistoleta.

Në vitin 2015, Alesio Xhelo u arrestua në Francë, ku ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet greke.

Ai rezulton i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale në Greqi, përfshirë akuza për rrëmbim, grabitje dhe arratisje nga ambientet e migracionit në Petrou Ralli në vitin 2019.

Në vitin 2022, Gjykata Penale e Apelit në Greqi e shpalli fajtor për arratisje, rezistencë ndaj policisë, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasjeje dhe rrëmbim personi.

Sipas raportimeve, Xhelo ka pasur probleme edhe me drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i arrestuar në vitin 2019 në Vlorë për armëmbajtje pa leje, si dhe në vitin 2025 në Fier për kanosje dhe fyerje të një efektivi të FNSH-së.

Postime të lidhura