zoom

Aktualitet

EMRAT/ Larje hesapesh mes grupeve kriminale? Plagosën pakistanezin në Athinë, kush janë dy shqiptarët e arrestuar

EMRAT/ Larje hesapesh mes grupeve kriminale? Plagosën pakistanezin në Athinë, kush janë dy shqiptarët e arrestuar

Tre persona, mes tyre dy shqiptarë, janë arrestuar nga policia greke pas plagosjes së një shtetasi pakistanez në Athinë dhe një ndjekjeje të gjatë me makinë që përfundoi me përplasje të shumta në rrugët e kryeqytetit grek.

Në pranga kanë rënë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç, banues në fshatin Gjashtë të Sarandës, si dhe Andi Beqiri, 27 vjeç, nga Konispoli. Bashkë me ta është arrestuar edhe një shtetas grek 30-vjeçar, i konsideruar nga autoritetet si person me precedentë të rëndë penalë dhe i dyshuari kryesor për plagosjen.

Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi në zonën e Patisias, ku 30-vjeçari grek, i maskuar dhe i shoqëruar nga një prej shqiptarëve, hyri në dyqanin e pakistanezit dhe e plagosi atë. Pas sulmit, autorët u larguan me një automjet tip “BMW”, ku i prisnin bashkëpunëtorët e tjerë.

Arratia e tyre u shoqërua me një ndjekje nga policia në rrugët e Athinës, gjatë së cilës automjeti u përplas me disa makina të tjera, deri në momentin kur autorët u neutralizuan dhe u arrestuan. Një person i katërt, i dyshuar gjithashtu shqiptar, ka arritur të largohet dhe është shpallur në kërkim.

Hetuesit grekë dyshojnë se plagosja lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale.

Emri i Andi Beqiri rezulton i njohur për autoritetet greke. Në shtator të vitit 2022 ai ishte arrestuar në zonën e Haidarit në Athinë, pasi në automjetin ku udhëtonte u gjetën dy armë kallashnikov dhe municion luftarak. Në atë kohë, bashkë me të u arrestua edhe Viktor Cala, i kërkuar për disa ngjarje të rënda kriminale në Greqi.

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, Cala dyshohej për përfshirje në një vrasje dhe një tentativë vrasjeje, ndërsa pas këtyre ngjarjeve qëndronte si urdhërues i dyshuar Klod Cara, i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar për organizimin e disa krimeve të rënda.

Postime të lidhura