zoom

Lajme

Sylvinho i jep lamtumirën Shqipërisë: E mbyll këtë cikël pas një pune shumë të mirë! Trajneri i ri: Krenari të drejtoj Kombëtaren

Sylvinho i jep lamtumirën Shqipërisë: E mbyll këtë cikël pas një pune shumë të mirë! Trajneri i ri: Krenari të drejtoj Kombëtaren
Ka përfunduar zyrtarisht aventura e Sylvinho në krye të Kombëtares shqiptare. Tekniku brazilian i dha lamtumirën kuqezinjve gjatë një deklarate emocionale për mediat, ku falënderoi Federatën, futbollistët dhe tifozët për mbështetjen gjatë tre viteve e gjysmë në drejtimin e Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Sylvinho u shpreh se vendimi për mbylljen e bashkëpunimit është marrë me mirëkuptim mes palëve.

“Kemi vendosur që së bashku të mbyllet ky cikël, një cikël prej 3 vitesh e gjysmë në të cilin kemi punuar shumë mirë për të përfaqësuar këtë kombëtare, një komb. Një komb që më ka mirëpritur shumë mirë dhe e falënderoj shumë”, deklaroi ai.

Trajneri brazilian falënderoi presidentin e FSHF për besimin, stafin teknik dhe lojtarët, ndërsa kujtoi edhe mesazhin e tij të parë në ditën kur mori drejtimin e ekipit kombëtar.

“Më kujtohet dita e parë, 9 janari i 2023. Kam thënë diçka: ‘Shpirti, zemra dhe djersa nuk duhet të mungojnë kurrë’. Këtë kemi bërë të gjithë së bashku”, tha Sylvinho.

Nën drejtimin e tij, Shqipëria siguroi kualifikimin historik në UEFA Euro 2024, duke mbyllur grupin eliminator në vendin e parë, ndërsa zhvilloi edhe një tjetër fushatë pozitive në eliminatoret e Botërorit 2026.

Ndërkohë, Rolando Maran është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Tekniku italian u shpreh i emocionuar për detyrën e re dhe premtoi një ekip me karakter dhe agresivitet në fushë.

“Është krenari për mua të drejtoj Kombëtaren e një populli shumë krenar. Premtimi im është të transferoj në fushë karakterin dhe dashurinë që tifozët shqiptarë kanë për këtë fanellë”, tha Maran.

62-vjeçari theksoi se synon të ndërtojë një skuadër agresive dhe konkurruese.

“Mua më pëlqen të kem një skuadër agresive. ADN-ja ime është kjo dhe dua ta transmetoj te ekipi”, u shpreh ai.

Trajneri italian tregoi gjithashtu se e ka ndjekur prej kohësh Kombëtaren shqiptare dhe se ka marrë këshilla edhe nga Gianni De Biasi, ish-trajneri që kualifikoi Shqipërinë në Europianin e vitit 2016.

Postime të lidhura