zoom

Lajme

Zbardhet paga e Rolando Maran, FSHF ul ndjeshëm shpenzimet për Kombëtaren

Zbardhet paga e Rolando Maran, FSHF ul ndjeshëm shpenzimet për Kombëtaren

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur një tjetër qasje financiare për stafin e ri të Kombëtares, pas largimit të trajnerit brazilian Sylvinho. Trajneri i ri i Shqipërisë, Rolando Maran, do të drejtojë kuqezinjtë me një kontratë dukshëm më të ulët krahasuar me paraardhësin e tij.

Sipas raportimeve, paketa financiare e stafit teknik të drejtuar nga Maran do të arrijë në rreth 400 mijë euro në vit. Kjo shumë është më pak se gjysma e kostos që kishte stafi i Sylvinhos, i cili bashkë me bashkëpunëtorët e tij përfitonte afro 1 milion euro në sezon.

Me këtë lëvizje, FSHF duket se po rikthehet te modeli financiar i përdorur gjatë periudhave të trajnerëve italianë si Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Edy Reja, ku buxheti për pankinën kuqezi ishte më i kontrolluar.

Epoka e Sylvinhos konsiderohet si periudha më e kushtueshme për Kombëtaren shqiptare. Bashkë me ish-futbollistë të njohur si Pablo Zabaleta dhe Doriva në staf, braziliani solli një projekt ambicioz që i kushtoi federatës rreth 1 milion euro në vit. Megjithatë, investimi u justifikua me suksesin sportiv dhe kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian./ Zoom.al

Postime të lidhura