Aplikacion
Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka reaguar publikisht pas përfundimit të aventurës së tij në stolin kuqezi, duke përcjellë një mesazh falënderues për Federatën, lojtarët dhe tifozët shqiptarë.
Përmes një reagimi të shpërndarë në rrjetet sociale, tekniku brazilian u shpreh se periudha afro tre vite e gjysmë në drejtimin e Shqipërisë ka qenë një kapitull i rëndësishëm dhe emocional në karrierën e tij.
Sylvinho theksoi se gjatë kësaj kohe ai dhe stafi i tij kanë punuar me përkushtim maksimal për të përfaqësuar sa më mirë Shqipërinë, ndërsa vlerësoi progresin e bërë nga ekipi kombëtar në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Sylvinho uroi suksese për të ardhmen e Kombëtares shqiptare dhe deklaroi se do të vazhdojë ta mbështesë ekipin edhe pas largimit nga posti i trajnerit.
“Së bashku, përfunduam një kapitull të mrekullueshëm pune. Gjatë gati tre viteve e gjysmë, punuam jashtëzakonisht shumë për të përfaqësuar këtë vend që më priti kaq ngrohtësisht.
Besoj se kemi bërë përparim të konsiderueshëm me Kombëtaren shqiptare dhe jam shumë mirënjohës ndaj Presidentit, stafit të federatës, stafit të trajnerëve, të gjithë lojtarëve që ishin me ne gjatë gjithë këtij udhëtimi dhe mbështetësve të zjarrtë të ekipit kombëtar.
Që nga dita e parë, premtuam se nuk do të mungonte shpirti, zemra dhe puna e palodhur.
U uroj të gjithëve suksese të mëdha në të ardhmen dhe do të vazhdoj t’ju mbështes kudo që të jem. Faleminderit shumë nga thellësia e zemrës sime”, shkruan Sylvinho.
Vendin e tij si teknik të Kombëtares Shqiptare e zë Rolando Maran, i cili konsiderohet një emër me eksperiencë të gjatë në futbollin italian, ku ka drejtuar disa skuadra të njohura të Serie A dhe Serie B. Ai ka ndërtuar reputacion si një trajner pragmatist dhe disiplinues, i njohur për organizimin taktik dhe aftësinë për të menaxhuar skuadra me objektiva mbijetese apo stabiliteti./ Zoom.al