Aplikacion
Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë vendin gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar një situatë alarmante në disa qarqe, me përmbytje, bllokim rrugësh, mungesë të energjisë elektrike dhe në shumë vende është i pamundur aksesi i shërbimeve.
Më e rëndë paraqitet situata në Lezhë dhe Shkodër, ku sasia e reshjeve ka qenë ekstreme. Në Lezhë janë regjistruar 105 mm shi, ndërsa dhjetëra banesa dhe toka bujqësore janë përmbytur. Kanalizimet janë mbingarkuar, duke e kthyer lagjen “Besëlidhja” në një “pellg uji”, ku hyrjet e pallateve janë bllokuar dhe lëvizja e qytetarëve është bërë e pamundur. Lumi Drin ndodhet në kuota kritike, shumë pranë daljes nga shtrati, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje të reja.
Në Malësinë e Madhe, dalja nga shtrati e përroit të Thatë ka përmbytur 15 banesa, ndërsa rruga është dëmtuar rëndë, duke izoluar përkohësisht zonën. Ndërkohë, prurjet e shumta kanë detyruar shkarkime të vazhdueshme nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit, duke shtuar ankthin te banorët e zonave përreth.
Situata mbetet kritike edhe në Durrës, ku shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur zona të tëra urbane, përfshirë stadiumin, Spitallën, NISH Tulla dhe Ish-Kënetën. Autostrada Durrës–Tiranë është kthyer në një segment të pakalueshëm, me automjete të bllokuara për orë të tëra, ndërsa qarkullimi është devijuar. Procesi mësimor është pezulluar në të gjithë qarkun, ndërsa ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” janë nën ujë.
As jugu i vendit nuk i ka shpëtuar motit ekstrem. Rënia e inerteve ka bllokuar pjesërisht akse nacionale, veçanërisht rrugën Tepelenë–Gjirokastër, duke rrezikuar sigurinë e drejtuesve të mjeteve. Në Vlorë, një automjet ka përfunduar në një kanal kullues, fatmirësisht pa viktima.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal ndërsa ndërhyrja e emergjencave civile duket e pamjaftueshme. Reshjet parashikohen të vijojnë intensivisht gjatë të gjithë javës dhe rreziku nga përmbytjet mbetet i lartë.
