Aplikacion
Ditën e mërkurë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme, me intensitet të ulët deri mesatar, duke nisur që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit. Në zonat e Shkodrës, Lezhës, Krujës, Kurbinit, Durrësit, Tiranës, Himarës, Delvinës, Sarandës, Dropullit, Gjirokastrës dhe Përmetit, reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit.
Gjatë ditës, reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar do të shënohen në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa herë pas here priten shtrëngata shiu të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Në orët e pasdites dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, reshjet e shiut do të forcohen, duke arritur intensitet mesatar deri të lartë, veçanërisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Tropojë, Fushë Arrëz, Durrës, Tiranë, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë, Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. Në këto zona, reshjet do të shfaqen herë pas here në formën e shtrëngatave dhe stuhive.
Gjatë orëve të mbrëmjes, në zonën e Alpeve priten reshje dëbore me intensitet mesatar. Ndërkohë, në verilindje, në lartësitë mbi 600–800 metra, si dhe në juglindje, në lartësitë mbi 700–900 metra, reshjet e dëborës do të jenë me intensitet të ulët deri mesatar, kryesisht gjatë pasdites dhe mbrëmjes.
Parashikohet gjithashtu mjegull e dendur dhe mjegullinë, me shikim të reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës. Era do të fryjë me drejtim juglindje–jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 18 m/s.
Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat urbane dhe akset rrugore të prekura nga reshjet intensive, për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet lokale. Drejtuesit e mjeteve duhet të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, ndërsa banorët në zonat malore dhe pranë lumenjve të shmangin lëvizjet e panevojshme. Gjithashtu rekomandohet të sigurohen objektet e lëna jashtë dhe të ndiqen njoftimet e strukturave përkatëse të emergjencave civile./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit